Sezonin e kaluar Sebastian Vettel u largua nga Ferrari dhe skuderia italiane vendosi ta zëvendësojë me spanjollin Carlos Sainz, i cili kishte shkëlqyer me McLaren në sezonin e shkuar. Ai plotëson dyshen me Leclerc, duke qenë dy pilotë të rinj, ndër më të mirët në qarkullim.
Në lidhje me aftësitë dhe garën mes tyre ka folur ish-kampioni i Botës, Jenson Button. Anglezi tregon aftësitë inxhinierike të Sainz dhe shprehet se spanjolli do i afrohet Leclerc në performancë. Button ka elozhe për dy pilotët e Ferrarit.
“Mendoj se Sainz do i afrohet Leclerc. Kam folur me drejtuesit dhe inxhinierët e McLaren dhe ata më kanë thënë se Sainz në thelb është një inxhinier. Kjo është diçka e shkëlqyer, sigurisht, sepse ai nuk lë që ta shtyjnë emocionet kur bëhet fjalë për atë që makina mund të arrijë.
Ai nuk e kalon kufirin e makinës dhe ne e pamë këtë në fundjavë në Bahrein. Ai është djalë i zgjuar, kështu që Ferrari mund të mburret se ka një dyshe të madhe pilotësh në makinat e saj”, u shpreh Button. Në garën e fundit Leclerc u rendit i gjashti, ndërsa Sainz i teti. /abcnews.al