Saimir Tahiri: Gjykata italiane pushoi hetimet për mua

schedule11:23 - 1 Nëntor, 2018

schedule11:23 - 1 Nëntor, 2018

Pas një viti heshtjeje dhe një jave nga lajmërimi për thyerjen e saj, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, doli para kamerave. Në dorë mbante një vendim gjyqësor italian, që depozitoi të hënën tek Krimet e Rënda, si provë deçizive në hetimin ndaj tij në Shqipëri. Por jo gjithcka ishte në favor të tij.

“Ndjesë për zërin tim dhe për kohën, s’është në dorën time”.

Tahiri tha se heshti një vit për të pritur përfundimin e hetimit të prokurorisë.

“Nuk e kam pasur të lehtë të hesht, kam pasur e kam shumë për të thënë. Unë bëra atë që nuk ka bërë asnjë politikan shqiptar në 30 vjet.  Prokuroria e Antimamfias italiane regjistroi një hetim ndaj meje. Në heshtje me shumë punë hetuan dhe pretendimet e prokurorisë shqiptare në atë që u quajt banda e trafikut të drogës. Prokurori i kërkoi pushimin e hetimeve për Saimir Tahirin. Gjykata pranoi kërkesën dhe unë sot kam vendimin e gjykatës, ku thuhet: Pushohen hetimet pasi nuk ka lidhje me asnjë aktivitet të paligjshëm”.

 Tahiri tha se ishte i vemti i hetuar dy herë dhe se kishte zgjedhur të përballej, ndonëse përmendej në bisedat e dy trafikantëe që ishin kushërintë e tij të tetë.

“Kur ua do interesi politikanë, gazetarë, analistë, çirren studiove se nuk mund të mbahet përgjegjësi për vëllain, për motrën, për … baxhanakun”.

Ish-ministri tha se gjatë hetimit nuk kishte bërë politikanin por qytetarin, por nga nga podiumi që i ngjante foltores së kuvendit nuk e kurseu përmendjen e tyre.

“Lulëzim Basha kërkonte arrestimin tim. Opozita bërtiste gjithandej se Sajmir Tahiri është i përfshirë në trafik droge. Monika Kryemamdhi dhe gjithë kryemëdhenjtë e tjerë që ka nga pas bënte të njëjtën gjë. Jo vetëm këta, por edhe një orkestër e tërë që ndanin interesa politike e jo vetë, u bënë bashkë, bilbila e kopila, që Tahiri të futet në burg”.

Sipas Tahirit, prokuroria italiane ka verifikuar të gjitha pretendimet se Habilajt kanë blerë dhurata për të dhe të gjitha hyrje-daljet e tij në zonën Shengen me ndokënd nga të hetuarit, por gjithçka ka rezultuar negative.

“Unë nuk e di a do të ketë njeri kurajo, por me siguri do të ketë, që të thotë se e kam blerë këtë vendim të antimafias në Itali, apo më keq do thonë që e ka blerë Edi Rama që ruajna Zot të kontrollojë gjykata dhe prokurori edhe në Europë”.

 Ish-ministri tha se ky hetim ndaj tij e ka bërë më të fortë dhe i ka dhënë mundësinë të njohë më mirë njerëzit, veten dhe drejtësinë. Duke shprehur habi për zgjatjen e hetimeve ndaj tij në Shqipëri, Tahiri sfidoi prokurorinë për të mbërritur në fjalën e saj të fundit.

“Nuk mbaj mend të angazhohen 7 prokurorë prej një viti. Nëse nuk mjaftojnë 7 prokurorë, bëjini 70 vetëm më tregoni të vërtetën mua dhe shqiptarëve siç bëri anti-mafia në Itali. U bë mbi një vit që heton prokuroria unë nuk jam thirrur edhe një herë të vetme”.

Tahiri tha se nuk i kishte humbur durimi, po rikujtoi kallëzimet e bëra ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Ish-ministri theksoi se do të luftonte deri fund dhe u largua pa i dhënë mundësinë për pyetje gazetarëve.

 “Beteja ime do të vazhdojë deri në ditën e fundit. Pas kësaj unë jam i lirë.  E vërteta na ndan e na bashkon”./abcnews.al