Sadiku: Vendim i vështirë, pyeta për Bolivar! S’u premtoj se shënoj sa Riquelme!

schedule19:17 - 29 Janar, 2021

schedule 19:17 - 29 Janar, 2021

Armando Sadiku i habiti të gjithë. Stacioni i radhës në karrierën e tij është skuadra e Bolivar dhe sulmuesi është bërë shqiptari i parë që luan në Bolivi. Futbollisti i kombëtares sonë është prezantuar para mediave dhe fillimisht ka deklaruar:

“Jam shumë i lumtur që jam këtu! Të gjithë në klub më pritën shumë mirë dhe jam gati të zbres në fushë. Të gjithë duam të jemi në Copa Libertadores, prandaj jam këtu. Do të jap maksimumin tim për këtë. Do të jetë e vështirë të arrijmë objektivin tonë, pasi kemi dy ndeshje të vështira përpara. Gjithsesi do të punojmë shumë për ta arritur atë. Është një ëndërr për mua”.

I pyetur nëse e njihte më parë Bolivar, Sadiku u përgjigj: “Në të vërtetë nuk e njihja shumë, por ata më folën për projektin, klubin dhe në të njëjtën kohë fola me lojtarë nga Spanja. Ata cilët më folën shumë mirë. Duhet të vendosja dhe nuk ishte e lehtë për mua. Është një përvojë e re dhe nuk kam frikë nga asgjë. Do të jap gjithçka për ekipin tim”.

Marcos Riquelme ishte sulmuesi kryesor i Bolivar vjet, teksa realizoi 20 gola. Sadiku ka marrë numrin nëntë dhe në konferencë u pyet nëse do e zëvendësojë dot argjentinasin. “Do të jetë e vështirë, pasi më duhet të përshtatem pak këto ditë. Mua më pëlqen kjo përvojë dhe jam i sigurt për veten time. Shpresoj të shënoj shumë gola, në mënyrë që të gjithë të jenë të lumtur këtu.

E kam parë pak Riquelme dhe është e vërtetë që ai shënoi shumë gola, por unë nuk mund të premtoj se do të bëj të njëjtën gjë. Gjithsesi do bëj gjithçka që të arrijmë objektivat e klubit. Mua më pëlqen të luftoj në zonë dhe të shënoj gola”, u shpreh në mbyllje Sadiku. /abcnews.al