“Sadikajt iu vendos C4 në automjet,” Karamuço: Autorët ose të trajnuar ose ka pasur ekspertë nga jashtë

schedule20:08 - 13 Qershor, 2022

schedule 20:08 - 13 Qershor, 2022

Në automjetin e Aleksandër Sadikajt, i cili humbi jetën nga plagët e marra në atentatin e së shtunës në Tiranë, ishte vendosur C4. Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC tha se kjo tregon që për atentatin ka qenë i nevojshëm një ekspert i vërtetë.

“Ekspertët për C4 i gjen rrallë në Shqipëri dhe këta ose kanë marrë trajnim, ose kanë gjetur ekspertë të huaj për ta vendosur.”

Në këto raste, shpjegon Karamuço në afërsi të vendit të ngjarjes ka dhe persona që rrinë pasi është kryer “porosia” dhe shohin veprimet e policisë.

“Shohin veprimet që po kryen policia dhe informojnë autorët për ndonjë gabim, gjurmë.”

Sipas ekspertit, nëse sasia e lëndës plasëse do të kishte qenë më e madhe, do të kishim të bënim me një akt terrorist.

Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës në kryeqytet. Makina me të cilën po lëvizte i riu u hodh në erë me bombë të telekomanduar. Sadikaj u nxor nga mjeti i gjallë, por i gjymtuar, ndërsa për shkak të plagëve të shumta ai humbi jetën pak minuta më vonë në spital.

Aleksandër Sadikaj ishte emër i njohur për drejtësinë. Ai akuzohej për një plagosje të ndodhur më 9 korrik 2019 në një plazh në zonën pranë Kanalit të Cukës në Sarandë. Po ashtu, në bashkëpunim me një person tjetër ai ka qëlluar me thikë 3 herë në krah dhe në gjoks një 40-vjeçar nga Vlora. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!