Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Sabotime në hekurudhat e Polonisë, 2 ukrainas të dyshuar si agjentë rusë

schedule19:48 - 18 Nëntor, 2025

schedule 19:48 - 18 Nëntor, 2025

Dy ukrainas që dyshohen se kanë punuar prej kohësh për shërbimet sekrete ruse janë identifikuar si autorët e dy akteve sabotimi në rrjetin hekurudhor të Polonisë. Të paktën kështu ka deklaruar këtë të martë, më 18 nëntor,  kryeministri polak Donald Tusk.

BBC shkruan se njëri prej të dyshuarve ishte dënuar më parë në mungesë për akte sabotimi në Ukrainë. Tusk, gjatë një fjalimi në parlamentin polak, tha se të hënën kishte vizituar vendin e shpërthimit pranë fshatit Mika, në juglindje të Varshavës, ku fundjavën e kaluar u dëmtua linja hekurudhore që të çon drejt kufirit me Ukrainën. Ai e cilësoi ngjarjen si “një akt sabotimi i paprecedentë”.

Një incident tjetër ndodhi të hënën pranë Pulawy, ku një tren plot me pasagjerë u detyrua të ndalonte papritur për shkak të dëmtimit të kabllove ajrore. Autoritetet polake fillimisht deklaruan se kishte shumë gjasa që sabotimet në linjën hekurudhore Varshavë–Lublin të ishin urdhëruar nga një “shërbim i huaj”. Më pas, një zëdhënës i ministrit të shërbimeve speciale tha se “gjithçka tregon se bëhet fjalë për shërbimet speciale ruse”.

Rusia nuk ka komentuar ende publikisht mbi këto akuza. “Qëllimi ishte të shkaktohej një katastrofë hekurudhore,” tha Tusk para deputetëve.

Kryeministri polak refuzoi të publikojë emrat e të dyshuarve, duke thënë se kjo mund të komplikojë operacionin. Ai sqaroi se njëri prej tyre jeton në Bjellorusi dhe tjetri në Ukrainën lindore. Të dy kishin hyrë në Poloni nga Bjellorusia gjatë vjeshtës dhe tashmë janë kthyer atje përmes pikës kufitare në Terespol, në jugperëndim të Bjellorusisë, pranë kufirit ukrainas.

Tusk tha se më 15 nëntor, rreth orës 21:00 (sipas orës lokale), një pajisje shpërthyese e llojit C4 (tritol) me përdorim ushtarak shpërtheu pranë fshatit Mika, duke shkaktuar dëme të vogla në dyshemenë e një vagoni mallrash. Ngjarja u regjistrua nga kamerat e sigurisë, ndërsa drejtuesi i trenit nuk e kishte vënë re incidentin.

Një përpjekje e mëparshme për të dalë treni nga shinat duke vendosur një kapëse çeliku kishte dështuar. Akti i dytë i sabotimit, më 17 nëntor, përfshiu një tren me 475 pasagjerë që u detyrua të frenonte menjëherë për shkak të dëmtimit të infrastrukturës hekurudhore.

Tusk njoftoi se do të urdhërojë rritjen e nivelit të alarmit në disa linja hekurudhore. Ai shtoi se që nga fillimi i vitit të kaluar, 55 persona janë arrestuar për dyshime mbi ndihmën, përgatitjen ose kryerjen e akteve sabotimi, dhe 23 prej tyre janë në paraburgim.

Sipas Tusk, motivimi i Rusisë është të përhapë panik dhe të nxisë ndjenja anti-ukrainase në shoqërinë polake, ku strehohen mbi një milion refugjatë ukrainas. “Ajo që i intereson autoriteteve ruse nuk është vetëm efekti i drejtpërdrejtë i këtyre veprimeve, por edhe pasojat sociale dhe politike që ato sjellin,” tha ai. “Kjo nënkupton çorganizim, kaos, panik, spekulime dhe pasiguri.”

Polonia, si anëtare e NATO-s dhe BE-së, ka një rrjet hekurudhor të rëndësishëm për transportin e ndihmave drejt Ukrainës që prej fillimit të pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Në shtator, Tusk deklaroi se tre dronë rusë ishin rrëzuar nga avionë polakë dhe të NATO-s në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë sulmeve ndaj Ukrainës. Ai tha se ishin regjistruar 19 shkelje me dronë, disa prej të cilave kishin fluturuar aq thellë sa kishin detyruar mbylljen e përkohshme të katër aeroporteve, përfshirë aeroportin kryesor të Varshavës, Chopin. Ministria ruse e mbrojtjes reagoi duke thënë se “nuk kishte plane” për të goditur objekte në territorin polak.  / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!