Dëmtimi i Christian Eriksen, në ndeshjen e “FA Cup”, përballë Reading ka shqetësuar jo pak bordin drejtues të Manchester United, me danezin, i cili në përfundim të ndeshjes u pa teksa largohej me paterica nga stadiumi.
Për këtë arsye, “djajtë e kuq” kanë vendosur të hyjnë në minutin e fundit në merkato dhe objektivi është një mesfushor i përafërt me 30-vjeçarin danez dhe zgjedhja perfekte sipas bordit të United është Marcel Sabitzer.
Mesfushori austriak 28-vjeçar dëshiron të largohet nga Bayern Munich, kjo dhe për fakt të minutave të pakta që ka luajtur deri më tani këtë sezon, ku në 15 ndeshje të Bundesliga, Sabitzer regjistron vetëm 41 minuta në fushën e blertë.
Sipas mediave të huaja, Manchester United ka hyrë në negociata me “bavarezët”, ku nuk përjashtohet as një mundësi huazimi. Mirëpo në anën tjetër në garën për Sabitzer është edhe Chelsea, me klubin e Londrës, që është në pritje të finalizimit me argjentinasin e Benfica, Enzo Fernandez dhe në rast dështimi Sabitzer mund të jetë një opsion i ri, që mund të sjellë “frymë” në mesfushën e “bluve”. /i.m /abcnews.al