Sa shpenzuan shqiptarët për mish, zbuloni se në cilin qytet konsumohet më shumë

schedule07:24 - 13 Shtator, 2020

schedule 07:24 - 13 Shtator, 2020

Shpenzimet për mish dhe nënprodukte kanë peshën kryesore në shpenzimet që ne bëjmë për të ushqyer. Rreth 44% e totalit të shpenzimeve që bëjnë familjet shqiptare në këtë drejtim apo 33,400 lekë kanë si qëllim kryesor sigurimin e ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike.

Por a e dini se peshën më të madhe për këto shpenzime e zënë sigurimi i mishit dhe i nënprodukteve të tij. Sipas të dhënave që disponon Monitor nga INSTAT, 18.5% apo një e pesta e buxhetit për ushqime, shkon për mishin dhe nënproduktet.

Shpenzimet mesatare mujore për një familje për mish dhe nënprodukte llogariten 6,180 lekë. Në totalin e shpenzimeve të familjeve (jo vetëm e grupit mish dhe nënprodukte), shpenzimet mesatare të familjeve shqiptare për këtë zë llogariten 8.1% e totalit.

Shpenzimet për bulmet, qumësht, nënprodukte dhe vezë, renditen si zëri i dytë për nga pesha në totalin e buxhetit që shkon për ushqimin, ndjekur nga buka dhe drithërat, perimet, frutat, vajrat dhe yndyrat dhe në fund renditet shpenzimet për peshk.

Sipas INSTAT, Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë “mish dhe nënprodukte”, me 18,5 %, “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 16,3 %, “bukë dhe drithëra” me 14,9 % ndjekur nga “perimet” me 13,8 % , “frutat” 8,5 % ,“vajra dhe yndyrna” 8,2 % dhe 3,9 % shkon për nëngrupin “peshk”.

Më mishngrënësit në vend…

Mishi dhe nënproduktet e tij janë kryesisht të konsumuara në vendet e ftohta, ku individëve iu nevojitet më shumë energji e konsumuar nëpërmjet ushqimit për të përballuar temperaturat e ulëta. Pra nuk është aspak çudi që Dibra është qarku që mban rekordin për shpenzimet e larta të familjeve për të siguruar mish dhe nënprodukte.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në raportin vjetor rajonal, familjet dibrane shpenzuan 10.8% të buxhetit të tyre për ushqime për këto produkte.

 

Anketa e Buxhetit të Familjes 2018 u krye nga INSTAT përgjatë gjithë vitit, me një kampion prej 9.384 familjeve. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.559 njësive ekonomike familjare të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Në vitin 2018, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një njësive ekonomike familjare, e përbërë mesatarisht nga

3,7 persona, janë 75.935 lekë. Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të familjeve në vitin 2018, është 3,5 % më i lartë se në vitin 2017. Totali i shpenzimeve për konsum është 58,67 miliardë lekë në muaj për 772.664 familje./Monitor