Sa pa policinë braktisi furgonin, arrestohet pas dy muajsh 34-vjeçari i shpallur në kërkim

schedule12:26 - 16 Shtator, 2021

schedule 12:26 - 16 Shtator, 2021

Një 34-vjeçar me iniciale S.B. i shpallur në kërkim prej dy muajsh është arrestuar ditën e sotme nga policia. Në datë 15 shtator Gjykata e Pogradecit i ka caktuar atij masën e sigurisë në mungesë “arrest me burg”, për shkak se në muajin korrik ka qenë duke transportuar emigrantë të paligjshëm dhe në momentin kur ka konstatuar se ka qenë duke u ndjekur nga policia ka braktisut furgonin në rrugë. Brenda tij janë gjetur 17 emigrantë të cilëve u ishte premtuar kalimi drejt Bashkimit Europian kundrejt shumës 250 euro secili.

“Vijon operacioni policor “Perimetri”. Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. B., 34 vjeç, banues në Korçë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec me vendimin e datës 15.09.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të lartpërmendura, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 18.07.2021, ku 34-vjeçari kur ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e policisë, ka braktisur mjetin furgon tip “Benz”, në afërsi të vendit të quajtur “Guri i Kuq”, në Pogradec, brenda të cilit u gjetën 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 250 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.   Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. m.v/abcnews.al