Sa mund të zgjasë Reforma në Drejtësi?

schedule21:20 - 17 Maj, 2019

schedule 21:20 - 17 Maj, 2019

Ish-kryeprokurori Arben Rakipi ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija”. Ai u pyet nga moderatori Mustafa Nano se sa do zgjasë Reforma në Drejtësi në mënyrë që të përfundojë procesi i gjithë.

Rakipi, si një ndër autorët e kësaj reforme, tregoi se kandidatët e Gjykatës Kushtetuese duhet të fillojnë konkurrimin në parlament në Korrik, ndërsa krijimi i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion do zgjasë sepse procesi i zgjedhjes së anëtarëve që do të bëjnë pjesë aty është delikat.

Mustafa Nano: Sa mund të zgjasë reforma në drejtësi, për t’u mbyllur procesi i gjithi?

Arben Rakipi: Gjykata Kushtetuese me ç’shihet duhet të fillojë konkurrimin në parlament të kandidatëve brenda muajit Korrik me gjasa. SPAK-u pastaj mund të zgjasë sepse kriteret e përzgjedhjes së tyre janë pak delikate sepse duhet kujdes i madh dhe më pas komprometohet e gjitha.

Pikërisht, SPAK përdoret edhe nga palët politike si struktura që do godasë edhe rastet e korrupsionit të deputetëve dhe jo vetëm. Ish-Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion do të ketë mbështetje të madhe si brenda vendit, ashtu edhe jashtë saj.

“Më mirë se ç’është do të jetë. Nuk mund të kërkohet mrekullia nga një grup njerëzish që në numër mund të jenë 10,15 ose 20 vetë. Ky është një proces që do shkojë paralel me pastrimin ose përsosjen tërë sistemit shqiptar dhe kjo do jetë e besueshme, gjithë të tjerat pastaj mund të jenë pak të ekzagjeruara. Struktura do ketë mbështetje të madhe, si jashtë vendit, si brenda vendit si forcë ekzekutive sepse do ketë policinë e saj”, tha Rakipi.

Për sa i përket pyetjes së Nanos, nëse SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve do jenë nën kontrollin e amerikanëve, Rakipi u shpreh se “Do jenë këshilltarë të afërt dhe të përditshëm, kjo është e sigurtë që do jenë. Kjo mund të marrë trajtën e kontrollit ose të trajtimit, por zemrën këta prokurorë duhet ta kenë. Nëse nuk e kanë nuk i shpëton kontrolli. Duhet të jenë trima, sepse krimi i organizuar nuk luftohet me short. Përveçse aplikimit, përzgjedhësit mund të kenë disa kritere shtesë, të cilat këto janë ndër cilësitë dhe kriteret bazë të një prokurori që të merret me të tilla gjëra sepse janë gjëra serioze dhe që duan trimëri”./abcnews.al