“Russiagate”, Trump shtyn publikimin e dokumentave hetimore

schedule08:15 - 22 Shtator, 2018

schedule 08:15 - 22 Shtator, 2018

Donald Trump ka vendosur të shtyjë publikimin e dokumentave hetimore mbi ndërhyrjen ruse. Përmes Twitterit, Trump ka bërë me dije se ka pranuar kërkesën e Departamentit të Drejtësisë, por ka shtuar se mund t’i publikojë dokumentet kur të dojë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të shtyjë publikimin e dokumentave hetimore të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-s. Përmes profilit të tij në Twitter, Trump ka bërë me dije se ka pranuar sugjerimet e Departamentit të Drejtësisë se një lëvizje e tillë do të kishte efekte negative tek hetimet. “Sidoqoftë, unë do t’i publikoj nëse do të jetë e nevojshme”, ka thënë Trump. Nga Departamenti i Drejtësisë ndërkohë nuk ka patur një reagim. Pak ditë më parë presidenti kishte premtuar deklasifikimin e dokumentave, një paralajmërim që kishte shkaktuar reagimin e ashpër të demokratëve, që e akuzuan se në këtë mënyrë po mbronte pozitat e tij në prag të zgjedhjeve politike të nëntorit.

Në postimin e tij, Trump ka deklaruar se në marrjen e vendimit ka dëgjuar edhe këshillat e aleatëve të tij. Trump e ka mohuar gjithmonë përfshirjen e tij me palën ruse në zgjedhjet e 2016-s dhe po ashtu Moska ka hedhur poshtë çdo ndërhyrje. Mes dokumentave që kreu i shtetit dëshiron të publikojë janë edhe kërkesat e vazhdueshme që hetuesit e “Russiagate” i kanë bërë gjykatës për të përgjuar këshilltarin e tij për politikën e jashtme, Karter Pejxh. Në korrik, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI bënë publike një variant tejet të redaktuar të kërkesave në fjalë, që i ishin dorëzuar gjykatës së posaçme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!