“Russiagate”, Trump shprehet i gatshëm të dëshmojë nën betim

schedule10:55 - 25 Janar, 2018

schedule 10:55 - 25 Janar, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh i gatshëm të dëshmojë nën betim për prokurorin special Robert Mueller, i cili po heton çështjen “Russiagate”. Pavarësisht gatishmërisë, kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti se nuk ka penguar drejtësinë.

Presidenti amerikan, Donald Trump për herë të parë u shpreh I gatshëm të dëshmojë nën betim për prokurorin special Robert Mueller, I cili po heton për dyshimet e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. “Aktualisht po pres ta zhvilloj. Do ta bëj atë nën betim”, u tha Trump reporterëve në Shtëpinë e Bardhë lidhur me marrjen në pyetje. Pavarësisht se ka premtuar bashkëpunim me hetimin që zhvillohet nga Mueller, presidenti amerikan është përpjekur të ulë besueshmërinë e investigimit me sulme nga Shtëpia e Bardhë dhe nga aleatët e tij në Kongres.

Ekipi ligjor i Trump ka qenë në kontakt me skuadrën e Mueller lidhur me një intervistë të mundshme, sipas disa burimeve afër më hetimet që citohen nga Reuters. “Dëshiroj që ta zhvilloj sa më parë të jetë e mundur”, nënvizoi kreu I Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, Trump theksoi se vendosja e datës është një subject që I takon avokatëve të tij. Ndërsa pyetjes nëse Mueller do ta trajtojë atë në mënyrë të drejtë, ai u përgjigj: “Këtë do ta shohim”.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se hetimi I prokurorit special po përqëndrohet momentalisht në dyshimet nëse Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë me shkarkimin e ish-kreut të FBI, James Comey. Për këtë foli edhe vetë kreu I Shtëpisë së Bardhë. Ai përsëriti se nuk ka pasur asnjë lidhje mes ekipit të fushatës presidenciale më Rusinë dhe se nuk ka penguar drejtësinë. Gjithashtu edhe Kremlini ka mohuar konkluzionet e agjencive amerikane të inteligjencës që thonë se Rusia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara duke përdorur sulme kibernetike dhe duke favorizuar fitoren e Trump.

Ndërkohë, Reuters thekson se zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane përfshirë drejtorin e CIA-s Mike Pompeo janë marrë në pyetje nga Mueller lidhur me dyshimet nëse Trump tentoi të pengojë drejtësinë për “Russiagate”. Prokurori special ka kërkuar të mësojë nëse zyrtarët janë urdhëruar nga presidenti amerikan që të mbështeten tek drejtori i FBI James Comey, derisa Trump e shkarkoi atë pa një arsye të qartë në muajin maj të vitit të kaluar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!