Presidenti Donald Trump ka shpërthyer në mënyrë të paprecedentë ndaj hetuesve të ndërhyrjes së përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Në një fjalim të gjatë, Trump ka nënvizuar se, përveç se nuk janë të zgjedhur nga populli, këta njerëz i japin popullit dokra.
Presidenti Donald Trump ka ndërmarrë një sulm agresiv ndaj hetuesit të posaçëm të “Russiagate”, Robert Myler dhe kritikëve të tij. Në fjalimin më të gjatë të presidencës së tij, Trump ka shpërthyer ndaj hetimit mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në fushatën elektorale të tij.
“Jemi në pritje të një raporti nga njerëz që nuk janë zgjedhur nga populli”, tha Trump përpara turmës së mbështetësve. Myler pritet t’ia dorëzojë raportin e tij prokurorit të përgjithshëm së shpejti.
“Për fat të keq janë vendosur njerëzit e gabuar në pozicionet e gabuara. Ata i lënë njerëzit të presin për një kohë të gjatë dhe pastaj përpiqen t’ua mbushin mendjen me dokra”, tha Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara disa herë e ka cilësuar hetimin mbi ndërhyrjen ruse një “gjueti shtrigash” dhe në fjalimin e tij kritikoi ashpër edhe ish-prokurorin e përgjithshëm Xhef Sesshëns, ish-shefin e FBI-së Xhejms Komej dhe Partinë Demokratike, pa lënë mënjanë edhe kritikët e qasjes së tij ndaj Koresë së Veriut. Samiti i dytë mes Trump dhe Kim Jong Un, i mbajtur në Vietnam, përfundoi pa një marrëveshje. Duke folur në Konferencën e Konservatorëve në Merilend, Trump shpërtheu ndaj skeptikëve.
“Unë u zgjodha si një president jashtë linjave dhe nëse nuk dalim jashtë linjave, atëherë vendi ynë do të ketë telashe të mëdha, miqtë e mi”, deklaroi Trump. Gjatë fjalimit, presidenti amerikan nënvizoi disa herë se hetuesi i posacëm Robert Myler nuk ka marrë një votë të vetme në jetën e tij e po ashtu as zëvendës prokurori i përgjithshëm Rod Rozenshtejn, që caktoi Myler në krye të “Russiagate”. /abcnews.al