Presidenti Amerikan Donald Trump u shpreh i vendosur për të gjetur origjinën e hetimit mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale. Këtë hetim, Trump e cilësoi grusht shteti.
Presidenti Donald Trump ka përsëritur se hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Myler mbi ndërhyrjen e përfolur ruse ishte një tentativë për grusht shteti.
Trump ka deklaruar se ka biseduar me prokurorin e përgjithshëm, të cilit i ka kërkuar të gjurmojë origjinën e hetimit që e pastroi atë nga akuzat për lidhje me rusët.
“Kjo ishte një përpjekje për grusht shteti, një përpjekje për të rrëzuar një president, por ne i mposhtëm ata”, ka deklaruar Trump.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka paralajmëruar se do të luftojë ndaj akuzave për pengim të drejtësisë që përmban raporti i Myler.
“Dhe a e dini përse do të luftoj? Sepse e di që i gjithë ky hetim ishte ilegal. Ishte një skemë mashtrimi”, ka thënë Trump për gazetarët.
Presidenti amerikan ka vlerësuar punën e kryeprokurorit Uilliam Berr për identifikimin e origjinës së hetimit të Myler, për të cilin duket se kërkon shpagim.
“Sepse e gjitha ishte një gjueti shtrigash dhe këtë e dinë të gjithë. Edhe hetuesit e dinin dhe ajo që bënë ishte një akt tradhtie”, ka vijuar Trump.
Ai ka shtuar se nuk ka ndërmend ta lexojë raportin e Myler, që do të publikohet së shpejti, pasi e di që është i pafajshëm.
Ndërkohë, në një seancë tjetër dëgjimore në Kongres, Prokurori i Përgjithshëm ka deklaruar se beson se, autoritetet amerikane përgjuan fushatën elektorale të Trump./abcnews.al