Russiagate, Trump autorizon ekipin e tij të bashkëpunojë në hetime

schedule12:27 - 19 Gusht, 2018

schedule 12:27 - 19 Gusht, 2018

Presidenti i SHBA bën të ditur se ka autorizuar avokatin e Shtëpisë së Bardhë dhe antëtarë të tjerë të stafit të tij, të bashkëpunojnë plotësisht me prokurorin special që po kryen hetimet per Russiagate. Qëndrimi i Trump vjen pas dyshimeve të hedhura nga mediat, se avokati i tij ka bërë marrëveshje për të bashkëpunuar me Myler.

Presidenti Donald Trump njoftoi përmes Tuiterit, se kishte autorizuar avokatin e Shtëpisë së Bardhë Don McGahn dhe anëtarë të tjerë të stafit të “bashkëpunonin plotësisht”, në hetimet në kuadër të dyshimeve për lidhje të fushatës së tij me Rusinë. Ky vendim i Trump vjen pas publikimit të një lajmi në New York Times, sipas të cilit avokati McGahn ka “bashkëpunuar gjerësisht” në kuadër të hetimit, që po udhëheq prokurori special Robert Myler, gjatë të paktën tre takimeve që ka pasur me hetuesit, me një kohëzgjatje totale prej plot 30 orësh.

Sipas New York Times që deklaron se ka burime të shumta, avokati i Shtëpisë së Bardhë ka dhënë dëshmi të detajuara të të episodeve të lidhura me pyetjen nëse Donald Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë. Avokati Don McGahn ka dëshmuar vullnetarisht të paktën tre herë gjatë 9 muajve të fundit. Gazeta shkruan se deklaratat e avokatit janë bërë lidhur me përpjekjet e pretenduara të Trump ndaj Robert Myler e për deklaratat dhe veprimet e presidentit, kur shkarkoi nga detryra drejtorin e FBI, James Comey.

Gazeta hedh dyshime se presidenti është informuar mbi nivelin e bashkëpunimit të avokatit të tij me Myler.
“ Kam autorizuar avokatin Don McGahn, dhe të gjithë anëtarët e tjerë të personelit të Shtëpisë së Bardhë, të bashkëpunojnë plotësisht me prokurorin special”, shkruan Donald Trump në Tuiter, Për më tepër ne kemi dorëzuar menjëherë mbi 1 milionë faqe dokumente. Akti më transparent në histori. Pa bashkëpunim. Pa pengesa. Gjueti shtrigash”, shton Presidenti.

Prej ditës së parë presidenti Trump i ka mohuar akuzat, që i kanë bërë kundërshtarët se ekipi i tij ka bashkëpunuar me rusët gjatë fushatës së 2016-s, ndërsa vetë po pengon drejtësinë. Trump e konsideton hetimin e prokurorit special si një makinacion kundër presidencës së tij dhe ka bërë thirje që kësaj situate t’i jepet fund./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!