“Russiagate”, raporti publikohet brenda një javë

schedule20:29 - 9 Prill, 2019

schedule 20:29 - 9 Prill, 2019

Raporti mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet amerikane do të publikohet në Shtetet e Bashkuara brenda një jave. Dokumenti është komentuar për herë të parë nga presidenti rus Putin, i cili me ironi ka përdorur shprehjen “nga mali lindi një mi”.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Uilliam Berr u tha ligjvënësve amerikanë ditën e martë se do ta publikojë brenda një jave raportin e shumëpritur mbi ndërhyrjen ruse, të përgatitur nga prokurori i posaçëm Robert Myler.

“Brenda një jave do të jem në gjendje t’i prezantoj raportin publikut dhe më pas do ta diskutoj atë me kryetarët e komisioneve parlamentare për çdo paqartësi që mund të kenë”, deklaroi Berr në një seancë në Kongres.

Robert Myler e dorëzoi raportin mbi ndërhyrjen e përfolur ruse marsin e kaluar, pas 22 muaj hetime për të verifikuar nëse presidenti Donald Trump ishte mpleksur me palën ruse gjatë fushatës presidenciale, apo nëse ai ishte përpjekur të pengonte drejtësinë.

Lidhur me raportin reagoi për herë të parë të martën edhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili deklaroi se Moska e kishte paralajmëruar se nga hetimi nuk do të dilte asgjë.

Duke folur nga punimet e një forumi të mbajtur në Shën Pjetërburg, Putin tha se konstatimet e Myler ishin të parashikueshme për Moskën.

“Që ky hetim do të mbyllej në këtë mënyrë, si një mal nga i cili lind një mi, ne e kishim të qartë shumë më parë dhe personalisht e kam thënë disa herë”, u shpreh Putin.

Për presidentin rus, përfundimin e këtij hetimi famëkeq nuk mund ta dinte askush më mirë se Kremlini, pasi sipas tij Rusia nuk u përzje në asnjë moment në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara. “Siç e tha dhe vetë Myler, nuk ka pasur lidhje mes Trump dhe Rusisë”, tha Putin. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!