“Russiagate”, Prokurori special kërkon të marrë në pyetje Presidentin Trump

schedule14:00 - 24 Janar, 2018

schedule 14:00 - 24 Janar, 2018

Prokurori special Robert Mueller kërkon të marrë në pyetje presidentin amerikan, Donald Trump lidhur me hetimet për çështjen “Russiagate”. Vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke komentuar kërkesën, tha se nuk ndihet i shqetësuar.

Prokurori special që heton çështjen “Russiagate”, Robert Mueller, dëshiron të marrë në pyetje personalisht presidentin amerikan, Donald Trump, në javët në vijim. Lajmi raportohet nga Uashington Post, që nënvizon se interesi i Mueller mbetet në veçanti tek shkarkimi I papritur I ish-kreut të FBI, James Comey dhe tek dorëheqja e ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare, Michael Flynn. E përditshmja shkruan se hetimi po përqëndrohet gjithnjë e më shumë tek dyshimet se Trump ka penguar drejtësinë.

Ekipi I prokurorit special ka marrë në pyetje edhe drejtorinm e CIA-s, Mike Pompeo, lidhur me dyshimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016 dhe për lidhjet e mundshme mes Moskës dhe ekipit të fushatës së Trump. NBC shkruan se Pompeo ka dëshmuar si dëshmitar në rastin e shkarkimit të Comey nga drejtimi i FBI.

Javën e kaluar, ministri i drejtësisë, Jeff Sessions dëshmoi për disa orë përballë ekipit të Mueller. Edhe 3 personazhe të tjerë afër presidentit amerikan janë marrë në pyetje kohëve të fundit, mes të cilëve dhëndrri dhe këshilltari Jared Kushner dhe drejtoresha e komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë, Hope Hicks.

Uashington Post thekson se ekipi ligjor i Trump do t’i paraqesë Mueller-it, që në javët e ardhshme, kushtet për dëshminë e presidentit. Gjithashtu një reagim për këtë situatë ka ardhur nga vetë lideri amerikan. “Nuk jam I shqetësuar”, ka thënë Trump për reporterët të cilët e pyetën për një koment lidhur me thirrjen e Mueller. Ndërkohë, një sondazhi CNN, tregon se 8 në 10 amerikanë mendojnë se Trump duhet të dëshmojë në rast të një thirrjeje. 51% e qytetarëve mendojnë se  presidenti amerikan ka tentuar të ndërhyjë në hetime, ndërsa 41% besojnë tek pafajsia e tij.

Me 27 shkurt të 2017 Flynn dha dorëheqejen nga posti i këshilltarit për sigurinë kombëtare pasi kishte gënjyer zëvendëspresidentin Mike Pence lidhur me raportet e tij me funksionarë të Moskës. Ai diskutoi për sanksionet kundër Rusisë me ambasadorin e Moskës në Uashington, Sergej Kislyak. Kurse Comey është shkarkuar në muajin maj nga Trump. Duke dëshmuar në Kongres, ish-kreu i FBI tha se është hequr nga detyra pasi Trump ka dashur të ndihmojë tek hetimet për “Russiagate”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!