Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi lajm fals, raportimin e Nju Jork Tajms se urdhëroi shkarkimin e prokurorit special që drejton hetimet për çështjen “Russiagate”. Komenti i tij erdhi nga Davos ku merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror. Ndërsa gazeta amerikane shkruan se veprimin kreu i Shtëpisë së Bardhë do ta justifikonte duke thënë se Robert Mueller kishte konflikt interesi.
Presidenti amerikan, Donald Trump e përshkruan si “lajm fals”, raportimin se urdhëroi shkarkimin e prokurorit special Robert Mueller qershorin e kaluar, por hoqi dorë vetëm pasi avokati i tij i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi të jepte dorëheqjen. “Lajme të rreme nga Nju Jork Tajms i zakonshëm”, është komenti i lideri të Shteteve të Bashkuara nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Gazeta amerikane në një shkrim nënvizon se “këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Donald McGahn tha se shkarkimi i Mueller do të kishte një efekt katastrofik për presidencën”. Sipas Nju Jork Tajms, Trump do e mbështeste kërkesën e tij për shkarkimin e prokurorit special me argumentin e 3 konflikteve të interest, të cilat janë: Mueller ishte pjesë e klubit të golfit të Trump deri në 2011; Ai nuk do të ishte I paanshëm pasi ka punuar për firmën ligjore, e cila ka vepruar dhe për Jared Kushner, dhëndrrin e Presidentit; si dhe Mueller është marrë në pyetje për rikthimin e tij në drejtim të FBI, vetëm disa ditë përpara se të caktohej prokuror special në maj të 2017.
Ndërkohë, Mueller po drejton një hetim për dyshimet e bashkëpunimit me ekipit të fushatës së Trump me zyrtare të qeverisë së Rusisë dhe për ndikimin e Moskës në zgjedhjet presidenciale të 2016.
Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë mohojnë këto akuza. Mueller, ish-drejtor i FBI, u caktua si prokuror special në majin e kaluar për të ndjekur hetimet për këto dyshime. Caktimi i tij erdhi pasi Trump shkarkoi kreun e Byrosë Federale të Investigimit, James Comey, duke thënë në një intervistë se veprimi i tij ishte për shkak të hetimeve për “Russiagate”. Mueller aktualisht ka përqëndruar ivestigimin e tij tek dyshimet se presidenti amerikan ka tentuar ose ka penguar drejtësinë.
Trump, përpara nisjes për në Davos, u shpreh i gatshëm të dëshmojë nën betim për prokurorin special. Ekipi i Mueller më përpara ka marrë në pyetje disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, të Inteligjencës Amerikane përfshirë drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, si dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Jim Mattis. Mediat në Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se dëshmia e tyre është përqëndruar më shumë tek dyshimet se Trump ka tentuar të pengojë drejtësinë në hetimet për “Russiagate”./abcnews.al