“Russiagate”, nis procesi gjyqësor ndaj këshilltarit të Trump

schedule09:10 - 31 Korrik, 2018

schedule 09:10 - 31 Korrik, 2018

Prokurorët e skandalit “Russiagate” do të nisin procesin gjyqësor ndaj një prej ish-këshilltarëve më të afërt të Donald Trump. Ndonëse akuzohet për krime financiare, gjyqi mund të kthehet në “dhimbje koke” për presidentin, pasi Manafort ishte njeriu që mori pjesë në takimin me avokaten ruse.

Paul Manafort do të jetë i pari ish-anëtar i stafit të Donald Trump që të martën do të dalë në gjykatë, me kërkesë të prokurorëve që po hetojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale.

Pavarësisht se procesi gjyqësor do të ketë në fokus akuza për krime financiare, ai mund të marrë edhe tipare politike, për faktin se Manafort ishte njeriu që menaxhoi për tre muaj fushatën elektorale të Trump dhe që mori pjesë në takimin e Qershorit 2016 me avokaten ruse që ofroi informacione kompromentuese në dëm të rivales Hillary Clinton.

Prokurorët e udhëhequr nga Robert Mueller kanë deklaruar të hënën se Manafort kishte fituar 60 milionë dollarë nga puna si këshilltar politik në Ukrainë, të cilat ishte përpjekur t’i fshihte. Hetuesit pritet të argumentojnë se shpenzimet marramendëse të Manafort për kostume, apartamente dhe objekte të tjera luksi nuk justifikojnë pasurinë e deklaruar prej tij dhe e akuzojnë se ka mashtruar organet tatimore.

Gjithashtu, ai akuzohet se ka mashtruar huadhënësit kur ka marrë 10 milionë dollarë borxh për një pronë në Nju Jork. Gjithashtu, prokurorët do të përpiqen të provojnë se ish-këshilltari i Trump ka fshehur 75 milionë dollarë në llogari bankare “offshore”, në bashkëpunim me ish-ortakun e tij Rick Gates./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!