Grupi hetimor i skandalit “Russiagate” ka kërkuar së fundmi dokumentat e bizneseve të presidentit Trump, për të verifikuar lidhjet e tyre me Rusinë. Për Trump, një kërkesë e tillë përbën tejkalim të vijave të kuqe.
Kryetari i grupit hetimor të skandalit “Russiagate”, Robert Mueller, i ka kërkuar Organizatës Trump dhe bizneseve të tjera të presidentit amerikan që të dorëzojnë dokumentacionin e tyre.
Burime të informuara mbi çështjen kanë deklaruar për “The Times” se thirrja është bërë në javët e fundit dhe ka si qëllim verifikimin e veprimtarive të sipërmarrjeve të Trump në Rusi. Kjo është hera e parë që Mueller kërkon publikisht dokumentat e bizneseve të miliarderit që udhëheq Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, përfaqësues të stafit presidencial por edhe avokatë të Organizatës Trump i janë përgjigjur negativisht kërkesës së “Times” për një koment. Trump, i cili prej kohësh kundërshton hetimet mbi lidhjet e supozuara të tij me Moskën, deklaroi vitin e kaluar se çdo hetim mbi familjen dhe financat personale të tij do të konsiderohet shkelje e vijës së kuqe.
Ndërkohë, këtë të enjte ai njoftoi vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, pasi siç tha, duket se ajo ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s./abcnews.al