Rusia: Ukraina po kryen sulme të mëdha. Kievi: Moska po dezinformon

schedule16:41 - 5 Qershor, 2023

schedule 16:41 - 5 Qershor, 2023

Forcat ukrainase kanë ndërmarrë një opracion të gjerë për të goditur linjat mbrojtëse ruse në Ukrainën juglindore për të dytën ditë me radhë, bëri të ditur sot Vladimir Rogov, një zyrtar në administratën e mbështetur nga Rusia në provincën e Zaporizhias. Provinca ndodhet pjesësisht nën kontrollin e trupave ruse.

Njoftimi vjen pasi një ditë më parë ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte penguar një sulm në rajonin e Donetskut, një tjetër rajon i aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska. Por autoritetet në Kiev i hodhën poshtë këto pretendmeve dhe thanë se Rusia po dezinformon.

Zoti Rogov tha se luftimet në Zaporizhia nisën të hënën në mëngjez, pasi mbrojtja ruse zmbrapsi një përparim të ushtrisë ukrainase një ditë më parë.

Armiku hodhi në sulm një forcë edhe më të madhe se dje dhe përpjekja e re për të thyer vijën e frontit ishte më e gjerë dhe më e organizuar”, tha zoti Rogov, duke shtuar se palët tashmë janë përfshirë në një betejë mes tyre.

Zoti Rogov i interpretoi lëvizjet ushtarake të Ukrainës si pjesë e një përpjekjeje të Kievit për të arritur në bregun e Detit Azov dhe për bllokuar korridoret tokësore që të çojnë drejt Krimesë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014. Analistët e kanë parë prej kohësh këtë si një strategji të mundshme, pasi do t’i ndante forcat ruse në dy, e do të ushtronte trysni të fortë mbi korridoret ruse të furnizimit për në Krime, e cila ka shërbyer si një qendër kryesore ushtarake ruse, që nga fillimi i luftës.

Të dielën Moska pretendoi se kishte penguar një sulm në shkallë të gjerë ukrainas në pesë pika të rajonin lindor të Donetskut. Ky i fundit është një prej katër provincave që Presidenti Vladimir Putin aneksoi vjeshtën e kaluar, në shkelje të ligjit ndërkombëtar, e që Rusia i kontrollon pjesërisht.

Pretendimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur dhe zyrtarët ukrainas nuk konfirmuan se kishin kryer ndonjë sulm. Por njoftimet u bënë shkak për spekulime se Kievi mund të kishte nisur një operacion të madh tokësor, si pjesë e kundërofensivës së parashikuar.

Qendra për Komunikime Strategjike e Forcave të Armatosura të Ukrainës shkruante në rrjetin ‘Telegram’ se forcat ruse “po rrisin informacionin dhe operacionet e tyre psikologjike”.

Për të demoralizuar ukrainasit dhe për të mashtruar komunitetin (përfshirë popullin e tyre), propaganduesit rusë do të përhapin informacione të rreme mbi kundërsulmin, drejtimet e tij si dhe humbjet mes ushtrisë ukrainase, edhe nëse një kundërsulm i tillë nuk do të ketë nisur”, thuhej në deklaratën në ‘Telegram’.

Zyrtarët ukrainas janë përpjekur të krijojnë dyshime mes forcave ruse se kur dhe ku mund të nisë kundërofensiva, apo edhe nëse një gjë e tillë ka nisur tashmë. Një kundërofensivë e mundshme, duke përdorur armë të avancuara të furnizuara nga aleatët perëndimorë, mund të shërbejë si një nxitje e madhe morale për ukrainasit, 15 muaj pas fillimit të agresionit rus.

Aktiviteti i fundit ushtarak, përfshirë sulmet me dronë në Moskë, sulmet ndërkufitare ndaj Rusisë, sabotimet dhe sulmet me dronë ndaj infrastrukturës prapa linjave ruse të mbrojtjes, kanë krijuar nervozizëm tek Moska. Analistët thonë se këto veprime mund të përfaqësojnë fillimin e kundërofensivës./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!