Rusia thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit: Respektoni armëpushimin!

schedule10:48 - 14 Tetor, 2020

schedule 10:48 - 14 Tetor, 2020

Rusia u bëri sërish thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit për të ndaluar luftimet në Nagorno-Karabak pasi palët ndërluftuese akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të mërkurën.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu u bëri thirrje me telefon ministrave të mbrojtjes të Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke u kërkuar vendeve të “përmbushin plotësisht angazhimet” e bëra për armëpushimin humanitar të ndërmjetësuar nga Moska të shtunën.

Secila palë mohoi shkeljen e armëpushimit mbi Nagorno-Karabakun, i cili është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit por qeveriset dhe popullohet nga armenët etnikë, megjithëse Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev më vonë tha se forcat e vendit të tij po vazhdonin operacionet ushtarake, shkruan Reuters, përcjell abcnews.al.

Ministria e mbrojtjes në Nagorno-Karabak akuzoi forcat azere për fillimin e sulmeve me artileri dhe raketa në disa zona. Zyrtarët e mbrojtjes thanë se forcat e tyre kishin rrëzuar një avion luftarak Azeri Su-25 por Azerbajxhani e mohoi këtë.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit akuzoi forcat armene për sulme të reja ndaj pozicioneve të ushtrisë azere përgjatë vijës së kontaktit që ndan të dy palët dhe se rajonet Terter, Aghdam dhe Aghjabedi brenda Azerbajxhanit ishin nën zjarrin e artilerisë. Zyra e Prokurorit azer raportoi një vdekje të re civile dhe disa të plagosur, përfshirë gazetarë Azerbajxhanas. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!