Rusia sulmon një qendër të transfuzionit të gjakut në Ukrainë

schedule09:39 - 6 Gusht, 2023

schedule 09:39 - 6 Gusht, 2023

Rusia e ka goditur me bombë një qendër të transfuzionit të gjakut në verilindje të Ukrainës, duke vrarë dhe plagosur njerëz, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Zelensky nuk ka treguar hollësisht se sa persona janë vrarë apo plagosur në sulmin e së shtunës në Kupiansk, në rajonin e Harkivit.

“Vetëm ky krim lufte tregon gjithçka për agresionin rus”, tha Zelensky.

Rusia nuk ka komentuar rreth kësaj ngjarjeje. Në të kaluarën, ajo i ka mohuar akuzat se i po i sulmon civilët – apo se ka kryer krime lufte.

Qyteti Kupianski dhe vendbanimet përreth u pushtuan nga trupat ruse në ditët e para të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, i cili nisi në shkurt 2022.

Por, kjo zonë u çlirua gjatë një kundërofensive ukrainase në shtator.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky i përshkroi kryerësit e sulmit si “kafshë”.

“T’i mposhtesh terroristët është çështje nderi për secilin njeri që çmon jetën”, shtoi ai.

Ky sulm ndodhi vetëm një ditë pasi Moska tha se një cisternë nafte ruse u dëmtua nga një sulm ukrainas me dronë gjatë natës së 4 gushtit në Ngushticën e Kërçit, pranë një ure që e lidh Krimenë e aneksuar nga Moska me Rusinë.

Agjencia e lajmeve e Rusisë, TASS, e citoi Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit Detar (QKSHD) të ketë thënë se është dëmtuar motori i cisternës ruse SIG nga një sulm ukrainas.

Kanalet ruse në Telegram raportuan fillimisht më 5 gusht se shpërthimet ndodhën në Ngushticën e Kërçit, duke e dëmtuar një cisternë nafte dhe duke e bllokuar përkohësisht trafikun mbi urë.

Cisterna e naftës SIG u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, për shkak se i kishte furnizuar forcat ruse në Siri me karburant për aeroplanë.

Pak ditë më parë, një anije e Marinës ruse u dëmtuan rëndë në portin Novorossiisk nga një sulm me dronë, për të cilin përgjegjësinë e mori Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SHSU).

Sulmet brenda dhe përreth Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia nuk pranoi ta vazhdojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për eksportimin e drithërave ukrainase përmes detit./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!