Rusia reagon për deklaratat e Ramës për Ligjin e Gjuhëve në Maqedoni

schedule21:33 - 18 Janar, 2018

schedule 21:33 - 18 Janar, 2018

Për Moskën zyrtare deklaratat e kryeministrit Edi Rama për rolin e qeverisë shqiptare në miratimin e Ligjit të Gjuhëve në Maqedoni, janë vazhdim i promovimit të Platformës së Tiranës. Në një deklaratë të Minitrisë së Jashtme ruse thuhet se këto qëndrime përputhen me ambiciet e Shqipërisë së Madhe.

Kremlini ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se Partia Socialiste e Shqipërisë ka dhënë kontribut vendimtar në miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë nënvizon se këto qëndrime dhe deklarata janë pjesë e ambicies për Shqipërinë e Madhe.

“Këto deklarata konfirmojnë qëllimin e zotit Rama që të vazhdojë të promovojë Platformën famëkeqe të Tiranës, të cilën ai ndihmoi në hartimin e saj. Zbatimi i këtij dokumenti do të dëmtonte bazat kushtetuese të shtetit maqedonas dhe Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe si pasojë do të provokonte përleshje të reja etnike në Ballkan. Këto zhvillime të reja janë plotësisht në përputhje me ambiciet e përhapura të Shqipërisë së Madhe, të cilat rrezikojnë integritetin territorial të disa vendeve në rajon”.

Ministria e Jashtme e Rusisë thekson faktin se çështja e gjuhëve shikohet me shumë rëndësi. Ndërsa nënvizon se vendime të tilla duhet të ndërmerren vetëm në bazë të një marrëveshjeje mes të gjitha degëve të pushtetit në çdo vend dhe duhet të sjellë konsensus të gjerë në shoqërinë e tij. Ndërkohë, në deklaratë citohet kryeministri Rama të ketë thënë se Partia Socialiste është përfshirë në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe në betejën për Kosovën me fqinjin Serbinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!