“Rusia po përçan Ballkanin”, Berisha: Tenton të shkaktojë krisje mes dy vendeve të NATO-s

schedule16:45 - 25 Korrik, 2024

schedule 16:45 - 25 Korrik, 2024

Kroacia ka shpallur të padëshirueshëm dhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Aleksa Beçiç, kryetarin e Parlamentit Andirja Mandiç dhe deputetin e kuvendit malazez, Milan Knezheviç.

Ministria e Punëve të Jashtme në Kroaci ka njoftuar Malin e Zi përmes një note drejtuar ambasadës së Malit të Zi në Zagreb se këta persona janë shpallur të padëshirueshëm për shkak të veprimeve sistematike për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Kroacinë dhe abuzimit të vazhdueshëm për qëllime të brendshme politike.

Lidhur me këtë ka folur në “Ballkan Update”, analisti nga Prishtina, Rid Berisha, i cili ka thënë se Rusia po përçan Ballkanin dhe po tenton të shkaktojë krisje mes dy vendeve anëtare të Aleancës.

Sipas analistit, Rusia do të tentojë dhe do të përpiqet të përdorë këtë periudhë kohe të zgjedhjeve në SHBA.

“Po flasim për një situatë jo aksidentale politikisht, një krisje raportesh midis dy vendeve anëtare të NATO-s, siç është Kroacia dhe Mali i Zi. Është një momentum kritik për një raport të tendosur mes të dyja vendeve, kur një shtet fut në listë të zezë kryetarin e Kuvendit, zv. Kryeministrin, një deputet, që sot ka pozicion të rëndësishëm në Malin e Zi, atëherë mund të flasim për një situatë më agravuese në pikëpamje të raporteve mes të dyja vendeve. Gjykoj që ardhja në pushtet e kësaj qeverie me vokacion pro serb dhe pro rus, është parashikuar që mund këto veprime që mund të cënojnë raportet. Edhe Kosova nuk është në ditët më të mira të raporteve të saj me Malin e Zi.

Këtu kemi të bëjmë me një involvim direkt rus për ta shmangur prezencën e vlerave perëndimore të NATO-s. Gjitha rajoni është thuajse i ndikuar nga sundimi rus, mund ta themi hapur. Kemi një Serbi që politikisht konsumon dy leva një Malin e Zi dhe një me Perëndimin. Kemi një rajon të trazuar nën projektimin rus. Unë mendoj që Rusia do të tentojë dhe do të përpiqet të përdorë këtë periudhë kohe për sa kohë që janë zgjedhjet në SHBA”, tha Berisha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!