“Rusia nuk i ka përmbushur ende objektivat për të cilët nisi luftën në Ukrainë dhe do të vazhdojë operacionet ushtarake derisa t’i realizojë ato”. Kështu u shpreh eksperti i sigurisë, Xhavit Shala, i ftuar në emisionin “360 Gradë” në ABC News, ku analizoi qëndrimin e Kremlinit dhe perceptimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për përfundimin e konfliktit.
“Nëse i referohemi bisedës telefonike të Donald Trump dhe Presidentit të Rusisë Vladimir Putin, ky i fundit në një intervistë tha ‘Ne kemi interesat tona kombëtare, SHBA-të duhet të respektojnë interesat tona kombëtare. Ne respektojmë interesat kombëtare të SHBA-ve.’ Tashmë sipas Putin janë drejt përmbushjes së interesave të tyre kombëtare, por nuk janë përmbushur ende. Ne nuk mund të diskutojmë se përse nuk e shfrytëzon këtë moment Putin. Putin nuk ka arritur akoma qëllimet se përse i ka hyrë kësaj lufte. Putin do e vazhdojë. Koncepti i Rusisë për paqen është jo armëpushim, por luftë dhe pastaj armëpushim. Pra paqja do vijë më mbrapa. Pra duhet një marrëveshje, e cila mund të jetë kapitullimi i Ukrainës. Nuk ka marrëveshje tjetër”, u shpreh Shala.
Sipas ekspertit, për Moskën paqja nuk nënkupton ndaljen e luftimeve nëpërmjet një armëpushimi të menjëhershëm, por arritjen e një marrëveshjeje të diktuar nga forca, që sipas tij mund të jetë edhe kapitullimi i Ukrainës. Ai shtoi se Rusia ndjek një strategji të qartë, ku lufta është mjeti i vetëm për të arritur një marrëveshje përfundimtare në terren./abcnews.al