Sipas zyrtarëve, mbi 1600 persona nga Donbasi kanë mbërritur në rajonin e Rostovit të Rusisë, si pjesë e evakuimit masiv të qytetarëve në Ukrainën lindore, sipas The Guardian
Separatistët e dy republikave pro-ruse të premten në mbrëmje kërkuan evakuimin e grave dhe fëmijëve në rajon, nga frika e një pushtimi të afërt ushtarak ndërsa zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar se Moska po kërkon të krijojë një pretekst për të pushtuar Ukrainën.
Menjëherë pas njoftimit të evakuimit, janë postuar në mediat sociale foto me autobusë të qytetarëve që largohen. Deputeti, Viktor Vodolatsky, tha se priten të mbërrijnë në vend 25,000 civilë tnga Donbas deri të shtunën pasdite.
Udhëheqësit e dy shteteve separatistë pro-rusë thanë se planifikojnë të evakuojnë mbi 700,000 persona në total. Ndërsa shumica e qytetarëve të Donbasit do të qëndrojnë në rajonin jugor të Rostovit, një numër rajonesh të tjera në të gjithë vendin thanë se ishin të gatshëm për të akomoduar të evakuuarit, raporton abcnews.al
Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu njoftoi të premten qeveria e tij do të paguajë 10,000 rubla (95 paund) për çdo “refugjat” që do të mbërrijë në vend.
Disa banorë të Donjeckut thanë se ishin të hutuar nga urdhrat për evakuim dhe nuk kishin ndërmend të largoheshin në Rusi. Kievi nga ana tjetër mohoi se kishte ndërmarrë ndonjë veprim armiqësor në Donbas.
Evakuimi vjen pasi vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) kanë thënë se ka pasur një “rritje dramatike” të numrit të sulmeve përgjatë vijës së frontit në Ukrainën lindore. Të shtunën në mëngjes, forcat e armatosura të Ukrainës dhe rebelët e mbështetur nga Moska akuzuan sërish njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.
Ukraina njoftoi gjithashtu se një ushtar është vrarë gjatë luftimeve me rebelët e mbështetur nga Moska.
/abcnews.al