Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga pranvera, duke vënë në shënjestër kryesisht Kievin dhe rajonin përreth, ka deklaruar kryeministri ukrainas Serhiy Koretskyi.
Të paktën pesë persona humbën jetën në sulmet e kryera gjatë natës në mbarë vendin, përfshirë një fëmijë në rajonin e Kievit, tha Koretskyi, shkruajnë mediat e huaja.
Sulmet ndikuan gjithashtu në furnizimin me energji elektrike; kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë, DTEK, njoftoi se furnizimi ishte rikthyer për 8,000 shtëpi pas “një nate të vështirë” për kryeqytetin.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se një nga objektivat e saj ishte termocentrali “Trypilska”, furnizuesi më i madh me energji elektrike për Kievin.
Në një deklaratë në Telegram, Koretskyi tha: “Që nga vera, praktikisht nuk ka kaluar asnjë ditë pa sulme të armikut ndaj infrastrukturës sonë energjetike”.
“Megjithatë, një sulm masiv dhe i kombinuar i kësaj përmase ka ndodhur për herë të parë që nga përfundimi i sezonit të kaluar të ngrohjes”.
Dhe Ukraina thuhet se ka qenë në pritje të një tjetër sulmi të zgjatur rus ndaj rrjetit energjetik të vendit.
Kjo ka ndodhur çdo dimër që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë në vitin 2022.
Gjithsej 11 rajone të vendit u sulmuan gjatë natës, ndërsa në shënjestër u vunë gjithashtu ndërtesa banimi, infrastruktura sociale, ndërmarrje civile dhe hekurudha, ka nënvizuar Koretskyi.
E presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pati goditje ndaj infrastrukturës kritike në rajonet Zhytomyr, Mykolaiv, Kirovohrad dhe Rivne.
Të mërkurën, disa familje në rajonet e Kievit, Dnipropetrovskut, Donetskut, Sumyt dhe Kharkiv-it mbetën pa energji elektrike, njoftoi Ministria e Energjisë e Ukrainës.
Operatori shtetëror i rrjetit, Ukrenergo, u këshilloi banorëve të mos përdornin pajisje elektrike me konsum të lartë energjie midis orës 10:00 dhe 16:00 me orën lokale, pasi furnizimi me energji elektrike ishte më i ulët se zakonisht.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se kishte kryer sulme masive gjatë natës ndaj objekteve ukrainase.
Ajo deklaroi se objektivat e saj përfshinin termocentralin Trypilska, të vendosur rreth 40 km larg Kievit, dhe pretendoi se centrali furnizonte me energji elektrike objektet e mbrojtjes ukrainase.
Operatori i centralit, Centrenergo, konfirmoi se centrali ishte dëmtuar nga një sulm rus dhe se po vlerësonte shkallën e dëmit.
Në Kiev, njerëzit u zgjuan dhe e gjetën qytetin të mbuluar nga tymi i dendur dhe mbytës, pas një nate të shoqëruar nga zhurma e shpërthimeve. Alarmi për sulm ajror ishte ende në fuqi dhe zhurma e largët e të shtënave të mbrojtjes ajrore jehonte në atmosferën e zymtë.
Banorët në disa zona u këshilluan t’i mbyllnin dritaret derisa tymi të shpërndahej.
Mes viktimave të sulmeve të natës ishte edhe një fëmijë, trupi i të cilit u gjet nën rrënojat e një shtëpie, tha guvernatori rajonal i Kievit, Timur Tkachenko.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, tregoi se tre persona …u vranë gjithsej në kryeqytet, përfshirë një punonjës të një kompanie shërbimesh publike ukrainase, i cili u vra në një magazinë.
Një person tjetër u vra në rajonin e Mykolaiv-it, tha ushtruesi i detyrës së guvernatorit rajonal, Heorhiy Reshetilov.
Dy persona të tjerë u vranë gjithashtu të martën në rajonin verilindor të Sumy-t, tha guvernatori Oleh Hryhorov. Atje u godit edhe një shkollë gjatë një sulmi të veçantë, shtoi ai.
Presidenti rus Vladimir Putin nisi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022 dhe aktualisht Moska kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas.


