Rusia liron mjeken ukrainase që mbahej peng prej 3 muajsh, bashkëshorti: Ndihem i lehtësuar

schedule12:01 - 18 Qershor, 2022

schedule 12:01 - 18 Qershor, 2022

Një mjeke e njohur ukrainase, e cila filmoi çastet e tmerrit në Mariupolin e rrethuar, është liruar nga forcat ruse, tre muaj pasi u kap rob, sipas skynews.

Yuliia Paievska, e cila njihet në Ukrainë si Taira, duke përdorur një kamera trupi, regjistroi përgjatë dy javëve pamjet ku shihej procesi i shpëtimit të të plagosurve, duke përfshirë ushtarë rusë dhe ukrainas.

Ajo ia transferoi pamjet një ekipi të Associated Press, gazetarëve të fundit ndërkombëtarë në qytetin ukrainas të Mariupolit, njëri prej të cilëve u arratis nga Ukraina më 15 mars. Taira dhe një koleg u kapën rob nga forcat ruse më 16 mars. Në të njëjtën ditë, një sulm ajror rus goditi një teatër në qendër të qytetit, duke vrarë rreth 600 njerëz, sipas një hetimi të AP.

“Ishte një ndjenjë kaq e madhe lehtësimi. Tingëllojnë si fjalë kaq të zakonshme, por nuk di çtë them tjetër”, tha bashkëshorti i saj, Vadim Puzanov.

Ai tha se foli me telefon me Tairan, e cila ishte rrugës për në një spital të Kievit dhe kishte frikë për shëndetin e saj. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi lirimin e Tairas në një fjalim kombëtar.

“I jam mirënjohës të gjithëve që punuan për këtë rezultat. Taira është tashmë në shtëpi. Ne do të vazhdojmë të punojmë për t’i liruar të gjithë personat të cilët janë rob të trupave ruse”, tha ai.

Rusia e portretizoi Tairan si pjesë të Batalionit Azov. Puna e Tiarës është edhe dëshmi e përpjekjeve për të ndihmuar të plagosurit dhe vërteton se nuk ishte pjesë e batalionit dhe nuk mori pjesë aktive në luftime.

/abcnews.al