Rusia kundër planeve të Britanisë për të rritur praninë ushtarake në Arktik

schedule09:50 - 2 Tetor, 2018

schedule 09:50 - 2 Tetor, 2018

Ambasada e Rusisë në Londër i kundërshtoi planet e raportuara të Britanisë për të rritur praninë ushtarake në Arktik, për t’iu kundërvënë, siç thuhet, agresionit në rritje të Rusisë.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson, tha për gazetën The Sunday Telegraph se qeveria po përgatit “strategji të mbrojtjes në Arktik” që do të përfshijë vendosjen e 800 komandove ushtarakë dhe detarë në Norvegji në vitin 2019 dhe ndërtimin e një baze të re ushtarake atje.

Gazeta tha se veprimet e Britanisë vijnë pas shenjave se Rusia po zgjeron praninë e saj ushtarake dhe industriale në Arktik.

“Ne e shohim veprimtarinë e nëndetëseve ruse shumë afër nivelit që ishte në Luftën e Ftohtë dhe është e drejtë që ne të fillojmë t’i përgjigjemi kësaj”, i tha Williamson gazetës.

Në një ngjarje tjetër, më 30 shtator, Williamson e cilësoi Rusinë si njërin nga “kërcënimet më të mëdha” me të cilat përballet bota sot.

“Nuk do ta lejojmë Kremlinin të rishkruajë rezultatin e Luftës së Ftohtë”, tha Williamson.

Ambasada ruse në Londër tha se u bën thirrje autoriteteve britanike, që, sipas saj, “kohëve të fundit, kanë promovuar në mënyrë aktive konceptin e Britanisë Globale, që t’i ndjekin ambiciet e tyre në fusha të tjera”.

Tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit janë rritur prejse Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014, dhe është përfshirë ushtarakisht në konfliktet në lindje të Ukrainës dhe në Siri.

Londra po ashtu ka akuzuar Moskën për një sulm me agjent nervor në qytetin Sallsbëri të Anglisë, në mars të këtij viti. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!