Ukraina tha të shtunën se Rusia ka kryer sulme të mëdha kundër termocentraleve të saj gjatë natës. Ndërkohë, një rafineri ruse e naftës tha se e ka ndërprerë punën pas një sulmi me dronë.
DTEK, kompania më e madhe energjetike e Ukrainës, tha se katër termocentrale të saj janë goditur.
“Armiku përsëri i bombardoi fuqishëm objektet energjetike ukrainase”, tha DTEK në një komunikatë. “Pajisjet e kompanisë janë dëmtuar rëndë. Punëtorët e energjisë janë duke punuar tani për eliminimin e pasojave të sulmit”.
Ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushchenko, tha se sulmet ruse cak e kishin rajonin Dnipropetrovsk në Ukrainën qendrore dhe rajonet perëndimore Lviv dhe Ivano-Frankivsk.
Halushchenko tha se një punëtor i energjisë është plagosur. DTEK raportoi për viktima, por nuk dha hollësi.
Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan 21 prej 34 raketave ruse gjatë natës, tha komandanti i Forcës Ajrore të Ukrainës të shtunën.
Gjatë muajit të fundit, ushtria ruse i ka rritur sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke i sulmuar termocentralet dhe hidrocentralet e këtij vendi pothuajse çdo ditë.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se vendi e ka humbur rreth 80 për qind të prodhimin të rrymës nga termocentralet dhe 35 për qind nga hidrocentralet, duke e detyruar Qeverinë ta vendosë reduktime të rrymës në disa rajone.
Në Rusi, ndërkohë, një rafineri e naftës në rajonin rus Krasnodar e ndërpreu punën, pas një sulmi të dyshuar me dronë mëngjesin e së shtunës, thanë zyrtarët lokalë.
“Saktësisht 10 UAVs (dronë) fluturuan drejt në rafineri. Kjo shkaktoi zjarr të madh. Mund të ketë dëme të padukshme”, tha Eduard Trudnev, drejtori për siguri i Slavynaks ECO Group, i cili e udhëheq këtë rafineri./rel