Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha të mërkurën se numri i trupave ruse të grumbulluara përgjatë kufirit të Ukrainës “përbën një kërcënim”, por nuk është i mjaftueshëm për një sulm frontal. Megjithatë ai paralajmëron se ky numër mund të rritet. Zoti Kuleba tha në një konferencë për shtyp në Kiev, se synimi i Rusisë është destabilizimi i Ukrainës.
Ministri Kuleba e bëri të qartë në konferencën për shtyp se fakti që Rusia mund të mos ndërmarrë një sulm frontal menjëherë, nuk do të thotë se nuk do ta bëjë një gjë të tillë “brenda një periudhe të caktuar kohore.”
“Ajo që shohim aktualisht është një skenar i destabilizimit të Ukrainës dhe ky skenar nuk ka dyshim që po ndodh, duke përhapur panik, duke ushtruar presion mbi sistemin financiar ukrainas, duke kryer sulme kibernetike kundër Ukrainës”, tha ai.
Kryediplomati ukrainas i quajti këto taktika, pjesë të planit rus të agresionit.
“Jam i sigurt se presidenti Putin do të ishte i lumtur që ky plan të kishte sukses, në mënyrë që të mos ketë nevojë të përdorë forcën ushtarake për ta vënë Ukrainën në një pozitë jashtëzakonisht të dobët”, tha ai.
Zoti Kuleba tha se Ukraina nuk ka ndonjë kundërshtim ndaj përgjigjeve që Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Rusisë lidhur me kërkesat e Moskës, që janë pjesë e negociatave për të shmangur përshkallëzim ushtarak kundër Ukrainës.
Eksperti i “Chatham House”: Objektivi i Rusisë, nënshtrimi i Ukrainës
Mathieu Boulegue, ekspert për Rusinë dhe Euroazinë në organizatën britanike “Chatham House” thotë se objektivi i i Rusisë është që “të nënshtrojë Ukrainën një herë e përgjithmonë”.
“Rusia po përpiqet ta transformojë Ukrainën në një pjesë të një zone të ndërmjetme (mes Rusisë dhe Perëndimit) me sovranitet të kufizuar – siç e ka bërë të qartë Vladimir Putini – për t’u mbrojtur kundër zgjerimit të NATO-s” , thotë zoti Boulegue.
Sipas tij, Rusia është e gatshme të përdorë forcë ushtarake për të arritur qëllimet e veta politiko-strategjike, duke e kombinuar atë me forma të tjera lufte jokonvencionale dhe sajimin e preteksteve për luftë.
“Kremlini përgatit plane për çdo lloj skenari, që nga lufta frontale, tek lufta kibernetike dhe ajo e informacionit, deri tek mjete të tjera asimetrike”, thotë eskperti.
Ai parashikon se kur Kievi të mos jetë në gjendje të përballojë më koston e lartë të operacioneve të luftës, Rusia do të kalojë në ‘diplomaci’, përfshirë planet për ndryshimin e regjimit në Ukrainë dhe vendosjen në pushtet të një qeverie pro-Kremlinit, siç njoftoi së fundmi zbulimi britanik.
Eksperti i “Chatham House” thotë se “Rusia ndoshta do të presë që Ukraina të bëjë ndonjë gabim – si për shembull ndonjë aksident, apo incident ushtarak, ose një mobilizim trupash nga Kievi – ose të gjejë një justifikim politik – si ngecja e bisedimeve SHBA-Rusi – për të ndërmarrë një ndërhyrje ushtarake. Por justifikimet mund të gjenden gjithmonë dhe gabimet të orkestrohen përmes operacioneve të rreme dhe mashtrimit”, thotë zoti Boulegue.
Rusia paralajmëron për masa të shpejta, nëse nuk merr përgjigje “konstruktive” nga Uashingtoni
Rusia paralajmëroi të mërkurën se do të marrë masa të shpejta për të garantuar sigurinë e saj nëse nuk arrin të marrë një përgjigje “konstruktive” nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në mes të tensioneve rreth Ukrainës.
Moska pret që Uashingtoni t’i përgjigjet me shkrim propozimeve të saj për garanci gjithëpërfshirëse të sigurisë që kërkon nga Perëndimi.
Mes kërkesave të saj është që të mos lejohet anëtarësimi i Ukrainës në NATO. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e drejta e Ukrainës për të vendosur për veten, është e panegociueshme.
Përqendrimi i rreth 100,000 trupave ruse afër Ukrainës dhe një sërë stërvitjesh ushtarake kanë shkaktuar shqetësime tek Perëndimi për një ndërhyrje të mundshme në Ukrainë.
Rusia ka mohuar se ka në plan të sulmojë fqinjin e saj ish-sovjetik./ VOA