Rusia dhe Turqia kritikojnë zhvendosjen e SHBA-ve në Jeruzalem

schedule15:47 - 14 Maj, 2018

schedule 15:47 - 14 Maj, 2018

Turqia dhe Rusia kanë kritikuar zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi në Jeruzalem. Gjatë vizitës së tij në Londër, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha se Uashingtoni ka humbur tashmë rolin e ndërmjetësuesit.

Turqia dhe Rusia kanë sipërsëritur qëndrimin e tyre lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem. Kjo ishte një lëvizje, që shkaktoi reagime të shumta që vitin e kaluar, dhe që rriti tensionet në Lindjen e Mesme. Gjatë një vizitë në Mbretërinë e Bashkuara, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan thotë se SHBA ka humbur rolin ndërmjetësues në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

“Me hapin e fundit, SHBA preferoi të jetë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes”, tha Erdogan në një event në Londër.

“Edhe një herë, ne e hedhim poshtë këtë vendim, i cili po shkel ligjin ndërkombëtar dhe kundërshton rezolutat e OKB-së”, theksoi ai.

Presidenti turk nënvizoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë sa më parë për t’i dhënë fund agresivitetit në rritje të Izraelit.

“Po të ishte gjallë Shekspiri dhe do të rishkruante sot Hamletin e tij, unë besoj se ai do ta bënte Princin Hamlet të thoshte të njëjtën gjë: ‘Bota është jashtë binarëve’”, tha Erdogan, duke e cituar shkrimtarin e famshëm anglez.

Ndërsa, nga ana tjetër, Rusia thekson se është e shqetësuar për rritjen e tensioneve në rajon pas zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem. Gjithashtu Moska ka rikujtuar se vazhdimisht ka kërkuar qetësi lidhur me situatën e krijuar mes Izraelit dhe Palestinës. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, në një takim të zhvilluar me  koordinatorin special të Kombeve të Bashkuara për paqen në Lindjen e Mesme, theksoi se situate është e bllokuar.

“Ky bllokim është thelluar edhe më shumë me vendimin e SHBA-ve në drejtim të Jeruzalemit”, është shprehur Lavrov.

Ndërkohë, vendimi i SHBA-ve është kritikuar ashpër edhe nga Bashkimi Europian, që e konsideron këtë lëvizje si shumë provocative dhe që minon procesin e paqes mes dy vendeve./abcnews.al