Rusia dhe Kina kundër strategjisë së sigurisë kombëtare të Trump

schedule22:16 - 19 Dhjetor, 2017

schedule 22:16 - 19 Dhjetor, 2017

Pas Rusisë edhe Kina ka kundërshtuar ashpër strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të prezantuar nga Presidenti amerikan, Donald Trump. Pekini i kërkon kreut të Shtëpisë së Bardhë të braktisë mentalitetin e luftës së ftohtë në të kundërt do të ketë probleme.

Kina ka reaguar lidhur me strategjinë e re të sigurisë kombëtare të prezantuar nga presidenti amerikan Donald Trump, në të cilën ku shtet bashkë Rusinë konsiderohen “shtete rivale”. Një zëdhënëse e qeverisë së Pekinit në një konferencë bëri thirrje për bashkëpunim mes dy vendeve. Gjithashtu pati edhe një kërkesë për Donald Trump.

“I bëjmë thirrje SHBA-së të mos vazhdojë shtrembërimin e qëllimshëm të objektivave strategjike të Kinës, si dhe të braktisë idetë e vjetëruara me mentalitete të Luftës së Ftohtë. Nëse nuk vepron kështu, ka për të dëmtuar veten dhe të tjerët”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying.

Ndërkohë, më herët kundër kësaj strategjie të presidentit amerikan reagoi edhe Rusia. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov theksoi se Moska nuk është dakord me pikëpamjen që e sheh Rusinë, si rrezik për Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu zyrtari u shpreh se vendi i tij është i gatshëm për bashkëpunim të mirë në disa fusha të caktuara.

Gjatë së hënës, administrata Trump publikoi një një dokument sigurie – që akuzonte Rusinë për ndërhyrje në çështjet e brendshme të shteteve të tjera. Gjithashtu klasifikon Kinën dhe Rusinë, si rivalë që kërkojnë të gërryejnë sigurinë dhe begatinë e Shteteve të Bashkuara. Publikimi i këtij dokumenti me këto qëndrime, vjen pavarësisht faktit që presidenti Trump kërkon mardhënie të mira me presidentin Vladimir Putin dhe Shi Xhinpin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!