Rusia dhe Irani, aleatët kryesorë të Damaskut, i kanë cilësuar si akte kriminale sulmet perëndimore në Siri. Regjimi sirian ka deklaruar se ka rrëzuar shumë raketa “armike”, ndërsa pala ruse ka vënë në gatishmëri forcat ajrore.
Rusia dënon fuqishëm sulmin e Perëndimit në Siri! Kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin, i cituar nga agjencia e lajmeve “Tass”. “Sulmi i Perëndimit në Siri pa një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një shkelje e së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Putin.
Ai e ka cilësuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve një “akt agresioni” kundër një vendi që po lufton terrorizmin në territorin e tij.
Nga ana tjetër, udhëheqësi suprem iranian, ajatollahu Ali Khamenei i ka cilësuar liderët perëndimorë Trump, Macron dhe May si “kriminelë”.
“Deklaroj pa asnjë lëkundje se liderët e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë kanë kryer një krim të rëndë, nga i cili nuk do të nxjerrin asnjë përfitim, njësoj siç ka ndodhur në Irak dhe Afganistan në vitet e fundit, ku kanë kryer të njëjtat akte kriminale”, ka thënë Khamenei.
Në një reagim tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se një numër i konsiderueshëm raketash të qëlluara nga aleatët perëndimorë janë lokalizuar në ajër dhe rrëzuar nga sistemet mbrojtëse siriane. I njëjti burim informacioni ka bërë me dije se, forcat ajrore ruse janë bërë gati për të reaguar.
Ndërkohë, qindra sirianë kanë zbritur në rrugët e Damaskut pas sulmeve duke valëvitur flamujt e Sirisë, Iranit dhe Rusisë. “Jemi njerëzit e tu, Bashar”, kanë thirrur ata, duke i dhënë mbështetje presidentit.
Kundër ndërhyrjes së Perëndimit ka dalë edhe Kina. Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Jashtme kineze ka deklaruar se opsioni i vetëm për zgjidhjen e çështjes siriane është një marrëveshje politike. Pekini zyrtar ka kërkuar një hetim të drejtë të rasteve ku supozohet se janë përdorur armë kimike dhe ka shtuar se çdo aksion ushtarak pa konsensusin e Këshillit të Sigurisë së OKB-së përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar./abcnews.al