Rusia ka dënuar shkencëtarin rus, Alexander Kuranov, i cili ka punuar në teknologjitë hipersonike, me shtatë vjet burgim për tradhti, pasi është akuzuar për dhënien e sekreteve shtetërore shtetasve të huaj, raporton Reuters.
Një përfaqësues i sistemit gjyqësor të Shën Petersburgut ka thënë se Alexander Kuranov, 76 vjeç, do të dërgohet në një burg të sigurisë së lartë dhe do të gjobitet me 1 mijë dollarë.
Në kohën e arrestimit të tij në vitin 2021, Kuranov ishte drejtor i përgjithshëm i Qendrës së Kërkimit të Sistemeve Hipersonike me bazë në Shën Petersburg, ku ai mbikëqyri punën e një versioni të ri të aeroplanit hipersonik të epokës sovjetike, të quajtur Ayaks.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë vazhdimisht se Rusia është lider botëror për raketat hipersonike, armë të shpejta dhe të afta të mbajnë ngarkesa të rënda.
Ukraina pati thënë në prill se Rusia kishte përdorur pesë raketa hipersonike, Zircon, për të sulmuar Kievin.
Kuranov u akuzua se i kishte dhënë informacione sekrete një shtetasi të huaj në lidhje me teknologjinë hipersonike, në të cilën ai kishte punuar për një kohë të gjatë, raportoi agjencia e lajmeve “Interfax” në 2021-ën.
Rastet gjyqësore për tradhti dhe spiunazh mbahen tradicionalisht me dyer të mbyllura në Rusi.
Një numër shkencëtarësh rusë janë akuzuar viteve të fundit për tradhti me dyshimin se u kanë dhënë materiale të ndjeshme të huajve. Kritikët e Kremlinit thonë se arrestimet ndonjëherë rrjedhin nga paranoja të pabaza, diçka që autoritetet e mohojnë.
Sipas të dhënave të Gjykatës së Lartë të Rusisë, 39 persona janë dënuar për tradhti vitin e kaluar, nga 16 sa ishin në vitin 2022.
Rusia anuloi të mërkurën vendimin për tradhti ndaj një fizikani të dënuar me 12 vjet burgim për dhënien e informacioneve një shteti anëtar të NATO-s të paidentifikuar dhe urdhëroi rigjykimin e tij.