Tre persona, dy prej të cilëve fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi në një bllok banesash në qytetin lindor të Rubizhne-s. Lajmin e bëri të ditur kreu i autoritetit ushtarak në Luhansk.
“Tragjedia ndodhi në mbrëmje, kur ushtria ruse intensifikoi bombardimet. Një predhë shpërtheu në katin e pestë”, tha Serhiy Haidai, duke shtuar se zjarri u përhap në një biznes dhe një institucion arsimor.
Rajoni i Luhanskut është një nga objektivat kryesore të ushtrisë ruse, ndërsa përpiqet të pushtojë zonat lindore që nuk u kapën nga separatistët e mbështetur nga Rusia në luftën që filloi në 2014. Në fundjavë Haidai bëri të ditur se mbi 60 civilë janë vrarë në rajon që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.
Një nga qytetet më të goditura është Severodonetsk-u dhe kreu i ushtrisë rajonale tha se ishte rënë dakord për një korridor evakuimi si për atë qytet ashtu edhe për Rubizhne-n, por ai paralajmëroi njerëzit që largoheshin sipas mundësive pasi rreziku nga bombardimet ishte i lartë. /abcnews.al/