Rusi, vazhdon gjyqi kundër gazetarit amerikan Gershkovich

schedule15:34 - 18 Korrik, 2024

schedule 15:34 - 18 Korrik, 2024

Gazetari amerikan Evan Gershkovich u shfaq në seancën e dytë të procesit kundër tij në Rusi. Ai u arrestua në mars të vitit të kaluar me akuzën për spiunazh ndërsa ishte me detyrë nga gazeta ‘The Wall Street Journal’. Gazeta dhe zyrtarët amerikanë e kanë denoncuar gjyqin si të sajuar dhe të paligjshëm. Departamenti i Shtetit e ka shpallur atë ‘të arrestuar padrejtësisht’, një vendim që e detyron qeverinë amerikane të kërkojë më ngulm lirimin e tij.

Procesi ndaj gazetarit Gershkovich po mbahet me dyer të mbyllura në Jekaterinburg, qytet pranë maleve Urale ku ai u arrestua para më shumë se një viti. Ai akuzohet për spiunazh.

Gjatë seancës së parë, procesi u shty deri në mes të muajit gusht, por avokatët e gazetarit amerikan bënë kërkesë që procesi të vazhdojë me shpejtësi, njofton agjencia shtetërore ruse e lajmeve ‘RIA Novosti’ dhe faqja e pavarur e lajmeve në internet “Mediazoan”.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë tha muajin e kaluar se gazetari akuzohet për “mbledhjen e informacioneve sekrete” me urdhër të CIA-s. Sipas akuzës, zoti Gershkovich po mblidhte informacion rreth Uralvagonzavod-it, një impiant rreth 150 kilometra në veri të Jakterinburgut që prodhon dhe riparon tanke dhe pajisje të tjera ushtarake.

Gazeta ‘The Wall Street Journal’ dhe zyrtarë amerikanë e kanë hedhur poshtë akuzën dhe e kanë denoncuar procesin si të jashtëligjshëm.

“Evan nuk ka punuar kurrë për qeverinë amerikane dhe ai nuk është spiun. Gazetaria nuk është krim dhe Evani nuk duhej të ishte arrestuar. Rusia nuk ka dhënë prova që të justifikojnë vazhdimin e paraburgimit të tij”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare muajin e kaluar kur Rusia filloi procesin gjyqësor kundër zotit Gershkovich.

Nëse shpallet fajtor, zoti Gershkovich mund të dënohet me 20 vjet burg.

Rusia ka sinjalizuar mundësinë e një shkëmbimi të burgosurish që përfshin gazetarin Gershkovich, por ajo thotë se paraprakisht duhet të merret vendim për gazetarin, një gjë që mund të marrë muaj të tërë.

Por edhe nëse merret një vendim i tillë, për të shkëmbyer të burgosurit mund të duhen muaj apo vite.

Është pothuajse e sigurt që gazetari Gershkovich do të dënohet. Gjykatat ruse dënojnë më shumë se 99% të të pandehurve. Prokurorët mund të apelojnë dënimet që i konsiderojnë si shumë të buta dhe madje mund të apelojnë edhe lirimin e tyre.

Gazetari i “The Wall Street Journal” është djali emigrantësh rusë nga Bashkimi Sovjetik. Ai është gazetari i parë amerikan që është arrestuar dhe gjykohet me akuzën për spiunazh në periudhën pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Departamenti i Shtetit e ka shpallur atë person ‘të arrestuar padrejtësisht’, një vendim që e detyron qeverinë amerikane të kërkojë më ngulm lirimin e tij.

Një tjetër gazetare amerikane, Alsu Kurmasheva mbahet në burg prej tetë muajsh për shkak se nuk u regjistrua si agjente e huaj. Gazetarja që ka edhe nënshtetësi ruse, e Radios Evropa e Lirë, që ashtu si Zëri i Amerikës, është pjesë e Agjencia Amerikane për Media Globale, mohon të ketë bërë ndonjë shkelje. /voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!