Oficerët e policisë ruse kontrolluan banesën e koleges së Aleksej Navalnyt, Ljubov Sobol dhe kanë filluar procedurat kundër së besuarës të kritikut të Kremlinit. Sobolin e morën për ta pyetur në kryeqytetin rus Moskë, tha ekipi i Navalnyt. Autoritetet fillimisht nuk bënë ndonjë deklaratë.
Incidenti ndodhi vetëm disa ditë pasi Navalny publikoi një regjistrim të një telefonate me një të dyshuar si agjent. Sipas Navalny-t, në bisedë thuhet se personi e pranoi sulmin me helm ndaj tij.
Sobolin e arrestuan për pak kohë të hënën, pak pasi u publikua telefonata, pasi ajo qe përpjekur të vizitonte agjentin e pretenduar të FSB-së në banesën e tij. Ajo u gjobit pasi gjoja kishte kundërshtuar urdhrin e një oficeri policie, por u la e lirë.
Sobolin e kërcënon arrestimi
Soboli tani akuzohet për cënim të hapësirës së banimit dhe kërcënim për përdorimin e dhunës, sepse ajo i ra ziles së agjentit, tha kreu i Fondit Antikorrupsion të Navalnyt (FBK), Ivan Zhdanov përmes shërbimit të lajmeve Twitter. Në rastin më të keq, ajo përballet me dënim me burg për shkelje.
Navalny i kritikoi ashpër veprimet e policisë. “Ky nuk është një shtet, ky është një grup kriminal,” tha ai. “Thjesht trillohet në mënyrë të poshtët një çështje penale.” Të gjitha pajisjet në banesën e Sobolit u konfiskuan nga forcat e sigurisë, përfshirë telefonin celular të vajzës shtatëvjeçare, shkroi Navalny. Vajzën dhe burrin i lejuan të largohen nga banesa.
Kremlini i hedh poshtë akuzat
44-vjeçari Navalny po qëndron në Gjermani për rehabilitim, pasi një helmimi të rëndë. Ai fajëson një “ekip vrasës” të FSB-së që vepron nën urdhrat e shefit të Kremlinit, Vladimir Putin për sulmin me helm me një agjent kimik luftarak nga grupi Noviçok.
Kremlini ka kundërshtuar disa herë që është përfshirë në këtë çështje. Rusia është ende në pritje të provave. Mjekët e spitalit të Berlinit Charité kanë botuar një raport mjekësor për helmimin në revistën “The Lancet”. Sipas lajmit të Interfax, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha: “Ne nuk lexojmë botime mjekësore”.DW