Një gjykatë në Rusi ka dënuar me burg një shtetas norvegjez për aktivitete spiunazhi. Frode Berg akuzohet se ka përvetësuar materiale sekrete mbi programin rus të nëndetëseve.
Gjykata e Moskës ka dënuar me 14 vjet burg dhe punë të detyruar një shtetas norvegjez, të akuzuar për aktivitete spiunazhi në dëm të marinës ruse. Bëhet fjalë për 63-vjeçarin Frode Berg, i arrestuar në kryeqytetin rus në vitin 2017, i cili i ka mohuar akuzat.
Përpara trupës gjykuese ai tha se kishte punuar vetëm si korrier për shërbimet norvegjeze të inteligjencës, por pa qenë në dijeni të thelbit të misionit. Bashkë me Berg është burgosur edhe një ish-oficer i policisë ruse, që i kalonte atij informacionet mbi programin e nëndetëseve të marinës ruse.
Avokati i 63-vjeçarit norvegjez, Ilja Novikov deklaroi se klienti i tij nuk do ta apelojë vendimin, por do të kërkojë falje nga presidenti rus Vladimir Putin. Përfaqësuesi ligjor tha se 63-vjeçari pret që qeveria në Oslo të ndërmarrë përpjekje diplomatike për lirimin.
“Berg është përdorur nga shërbimet sekrete pa dijeninë e tij. Këtu nuk bëhet fjalë për mbledhje informacionesh sekrete”, deklaroi Novikov.
Norvegjia, një vend anëtar i NATO-s, ndan kufirin arktik me Rusinë dhe për dekada marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë miqësore, përfshirë vitet e Luftës së Ftohtë. Por ato u përkeqësuan prej vitit 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë./abcnews.al