Rushaj te “Ekonomia”: Ku e keni fondin për KLGJ dhe KLP për vetingun

schedule13:56 - 1 Nëntor, 2021

schedule 13:56 - 1 Nëntor, 2021

Partia Demokratike nuk ka dhënë ende një përgjigje konkrete për propozimin e PS për të shtyrë mandatin e organeve të vettingut.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë nënkryetari i PD Alfred Rushaj se qeveria do të duhej të kishte parashikuar fonde për KLGJ-në dhe KLP-në të cilat do të bëjnë vettingun pas qershorit 2022, siç e parashikon Kushtetuta, pasi përfundon afati i Komisionin të Pavarur të Kualifikimit (KPK).

“Znj. ministre, në qershor 2022 Kushtetuta parashikon që KLGJ dhe KLP do të marrin përsipër në bazë të kushtetutës, një funksion që është ai i Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. A keni marrë masa që këto dy institucione të kenë buxhetin e nevojshëm për të përballuar këtë detyrim. Për ta bërë këtë ato duhet të kenë fondin e mjaftueshëm që tani, që në janar! Duan infrastrukturën e nevojshme, burimet njerëzore dhe të tjera, duke filluar që në janar. Do të ketë nevojë për burime njerëzore, infrastrukturë, në mënyrë që ajo që parashikon kushtetuta të realizohet pa vonesë. Sa është fondi dhe a është i mjaftueshëm për këto dy institucione?”, ka thënë Rushaj.

Ministrja Ibrahimaj iu përgjigj se duke mos ditur ende ditën që Vetting-u, do kalojë nga institucion aktual në KLGJ dhe KLP, është ruajtur për gjithë vitin të njëjtin buxhet që kanë organet e Vetting-ut aktualisht, i cili në momentin që institucionet mbarojnë së funksionuari mund t’i kalojë institucione të KLGJ dhe KLP. /abcnews.al