Rusët sulmuan teatrin, 27-vjeçarja tregon si shpëtoi bombardimit: Kishte njerëz të gjakosur kudo

schedule09:49 - 23 Mars, 2022

schedule 09:49 - 23 Mars, 2022

Të mërkurën e kaluar, rusët bombarduan një godinë teatri në qytetin e Mariupolit,  që prej javësh është objektivi i forcave të armikut.  Qindra civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, ishin brenda ndërtesës pranë bregdetit, të fshehur, raporton BBC.

Maria Rodionova, një mësuese 27-vjeçare, prej 10 ditësh jetonte në teatër pasi kishte ikur nga apartamenti i saj në katin e nëntë me dy qentë e saj. Ata u fshehën në një auditor pranë pjesës së pasme të ndërtesës.

Atë mëngjes ajo kishte marrë disa mbetje peshku nga një kuzhinë për të ushqyer qentë e saj, por më pas kuptoi se nuk kishin pirë ujë. Kështu rreth orës 10:00, ajo vendosi qentë në bagazhin e saj dhe u nis drejt hyrjes kryesore ku po krijohej një radhë për ujë. Dhe pastaj bomba ra.

U dëgjua një zhurmë shumë e fortë. Pastaj zhurma e xhamit të thyer. Një burrë erdhi nga pas dhe e shtyu atë në një mur, duke e mbrojtur me trupin e tij.

Shpërthimi ishte aq i fortë sa ajo ndjeu dhimbje të forta në njërin nga veshët e saj, aq intensive sa mendoi se daullja e veshit i ishte çarë. 27-vjeçarja e kuptoi çfarë kishte ndodhur pasi dëgjoi britmat e njerëzve, përcjell abcnews.al.

Forca e shpërthimit hodhi një burrë tjetër në një dritare. Ai ra në tokë, me fytyrën të mbuluar në xham të thyer. Një grua, e cila gjithashtu kishte një plagë në kokë, u përpoq ta ndihmonte. Maria, e cila kishte qenë vullnetare në Kryqin e Kuq të Ukrainës në Mariupol, mblodhi mjaftueshëm forcat për të bërtitur, duke i thënë që të ndalonte.

Vladyslav, një bravandreqës 27-vjeçar, i cili nuk dëshiron të përdorë emrin e tij të plotë, kishte hyrë gjithashtu në ndërtesë atë mëngjes. Ai kishte disa miq atje dhe shkoi t’i kërkonte. Ishte afër hyrjes kryesore kur ndodhi shpërthimi. Vrapoi me të tjerët në një bodrum dhe, 10 minuta më vonë, ai dëgjoi se ndërtesa ishte në flakë dhe doli në një skenë kaosi.

“Gjëra të tmerrshme po ndodhnin.” Ai pa shumë njerëz të gjakosur. Disa kishin plagë të hapura me fraktura. “Një nënë po përpiqej të gjente fëmijët e saj nën rrënoja. Një fëmijë pesëvjeçar po bërtiste: “Nuk dua të vdes”. Të thyhej zemra”

Ka të ngjarë të ketë qenë vetëm një bombë që ra në teatër atë mëngjes, duke sjellë gjithë atë shkatërrim, ka përfunduar analiza nga McKenzie Intelligence Services për BBC.

“Për shkak se raketa duket se goditi me saktësi qendrën e ndërtesës, ne besojmë se është një bombë e drejtuar me lazer, me gjasë KAB-500L ose variant i ngjashëm, i lëshuar nga një avion”, tha grupi me bazë në Londër.

Rusia mohon të ketë sulmuar teatrin. Ajo gjithashtu ka mohuar të ketë goditur objekte civile në Ukrainë, megjithëse sulmet ndaj ndërtesave të panumërta të banimit dhe objekteve të tjera joushtarake janë dokumentuar në të gjithë vendin. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!