Rusët nuk kanë shanse, kryeministri slloven Jansa rrëfen çfarë pa në Ukrainë

schedule11:03 - 18 Mars, 2022

schedule 11:03 - 18 Mars, 2022

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, ka folur për mediat sllovene pas kthimit nga Ukraina. Ai ka treguar për situatën ne Kiev, dhe ka thënë se në bazë të asaj që ka parë, ushtria ruse s’do të mund ta pushtojë kurrë kryeqytetin ukrainas.

Duke folur për televizionin slloven, Jansa tha se vizita e tyre ishte inkurajuese për udhëheqjen ukrainase.

Sipas tij, sulmet në qendër të Kievit janë relativisht të rralla dhe qyteti nuk është i rrethuar.

“Kiev po sulmohet nga lindja dhe perëndimi, por forcat që sulmojnë qytetin janë shumë të dobëta për ta pushtuar atë. Ushtria ruse nuk do ta pushtojë kurrë Kievin”, tha kryeministri slloven.

Sipas Jansas, mund të ketë shumë krahasime midis agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe agresionit të Ushtrisë Popullore Jugosllave kundër Sllovenisë.

“Sa i përket ideologjisë, moralit, gatishmërisë për të sakrifikuar jetën për këtë konflikt ushtarak, është shumë e ngjashme me kohën kur sulmuan Slloveninë. Rekrutët rusë që janë robër lufte në Ukrainë flasin në mënyrë të ngjashme për NATO-n. Ata besojnë se janë në konflikt me agresorin, me NATO-n dhe jo me popullin vëllazëror”.

Jansa u shpreh i bindur se morali është i ulët edhe në fushat e betejës, sepse ushtria ruse nuk ka bërë përparim të dukshëm javën e fundit.

Ndërkaq, Jansa tha se presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky e ka takuar në katin e parë të Pallatit Presidencial, jo në bodrum, por me masa të rrepta siguri. Ai shtoi se kryeqyteti ukrainas nuk do të dorëzohet.

Tre kryeministrat u takuan edhe me ministra të tjerë për propozimet për një marrëveshje paqeje./ Express