Rumania ka rritur nivelin e gatishmërisë pas një tjetër incidenti në kufirin me Ukrainën, ku një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore rumune rrëzoi një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit.
Ky është droni i dytë i neutralizuar brenda pak orësh, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të NATO-s.
Ministria rumune e Mbrojtjes konfirmoi se ka ndodhur një shkelje e hapësirës ajrore kombëtare dhe se autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar origjinën dhe qëllimin e dronit.
Sipas zyrtarëve, po shqyrtohet edhe mundësia që incidenti të jetë pjesë e një kërcënimi hibrid, në sfondin e luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ku sulmet ajrore pranë kufirit rumun kanë shtuar rrezikun e depërtimit të dronëve në territorin e një shteti anëtar të NATO-s.



