Parlamenti i Rumanisë ka miratuar një ligj që lejon vrasjen e afro 500 arinjve këtë vit dhe ligji u miratua disa ditë pas vdekjes së një alpiniste të re që u vra nga një ari.
Deputetët u thirrën nga pushimet e tyre verore për të votuar urgjent, pasi vdekja e një vajze 19-vjeçare javën e kaluar ndezi emocione të forta në vend.
Presidenti Klaus Iohannis tha në atë kohë se ishte “i tronditur nga vdekja e vajzës”, duke gjykuar se kishte “shumë arinj”, ndërsa kryeministri Marcel Cholaku thirri një seancë të jashtëzakonshme parlamenti. Deputetët e nderuan viktimën me një minutë heshtje.
Ligji i miratuar me shumicë dërrmuese jep dritën jeshile për të vrarë 480 arinj këtë vit, krahasuar me 220 në 2023.
Autorët e ligjit deklaruan se ka një mbipopullim të kësaj specie shtazore të mbrojtur, gjë që ka sjellë një situatë alarmante dhe shtim të sulmeve.
Fondi Botëror për Natyrën dënoi “ligjin që nuk zgjidh absolutisht asgjë”.
“Është një përllogaritje matematikore që supozon se sa më pak arinj, aq më i ulët është rreziku i një sulmi”, tha fondi, duke shtuar se para së gjithash duhet të punohet për parandalimin dhe eliminimin e synuar të arinjve problematikë./abcnews.al