Rumani, prokurorë e gjyqtarë kundër ndërhyrjes së qeverisë në drejtësi

schedule19:44 - 22 Shkurt, 2019

schedule 19:44 - 22 Shkurt, 2019

Prokurorë dhe gjyqtarë në Rumani i kanë dhënë jetë një proteste, të cilën kanë paralajmëruar se do ta përshkallëzojnë nëse qeveria nuk heq dorë nga ndërhyrjet në sistemin gjyqësor. Ndryshimet e hartuara nga ekzekutivi dobësojnë pozitën e prokurorëve sidomos në çështjet e korrupsionit në nivele të larta.

Prokurorët dhe gjyqtarët në Rumani u mblodhën të premten në një protestë të paprecedentë kundër ndryshimeve në sistemin gjyqësor të përgatitura nga qeveria. Më herët gjatë muajit, ekzekutivi rumun përdori një dekret të jashtëzakonshëm për të modifikuar legjislacionin për gjyqësorin, që mes të tjerash u heq prokurorëve një pjesë të kompetencave të tyre. Sidoqoftë, kjo është vetëm një pjesë e ndryshimeve që social-demokratët kanë bërë në sistemin e drejtësisë në dy vitet e fundit, duke nxitur protesta masive të qytetarëve. Në mbështetje të prokurorëve janë rreshtuar Komisioni Europian dhe Departamenti amerikan i Shtetit, që kanë deklaruar se ndryshimet kërcënojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe sundimin e ligjit. “Këto ndryshime të papritura, të bëra përmes një dekreti të jashtëzakonshëm dhe pa konsultuar Këshillin e Lartë të Magjistraturës pengojnë prokurorët të kryejnë deri në fund detyrën e tyre”, thuhet në një deklaratë të prokurorëve të Bukureshtit. Në shenjë proteste prokurorët kanë paralajmëruar se nga dita e hënë do të bojkotojnë punën, duke bërë përjashtim vetëm për çështjet e rëndësisë së veçantë. Rumania rregullisht renditet ndër vendet më të korruptuara të BE-së dhe Brukseli e ka mbajtur sistemin e saj ligjor nën mbikëqyrje që kur vendi u bashkua me bllokun në vitin 2007. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!