Rumani, liberalët braktisin koalicionin qeverisës

schedule21:25 - 26 Gusht, 2019

schedule 21:25 - 26 Gusht, 2019

Mazhoranca qeverisëse në Rumani ndodhet në buzë të humnerës për shkak se liberalët kanë braktisur koalicionin. Sipas mediave vendase, vendi ndodhet i ndarë mes një aleance të re që mund të formohet dhe opsionit të zgjedhjeve të parakohshme.

Partia Social Demokrate në Rumani humbi të hënën mazhorancën e ngushtë parlamentare, pasi një anëtar i ri i koalicionit braktisi qeverinë. Partia Liberale u tërhoq nga aleanca dy ditë pasi lideri i saj, Tariçeanu dështoi të bëhej i vetmi kandidat i mazhorancës për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për në nëntor. Në vend të tij, social-demokratët zgjodhën liderin e tyre, kryeministren Viorika Dancila për të sfiduar presidentin në detyrë Klaus Iohanis. Lëvizja e liberalëve, një vit përpara zgjedhjeve parlamentare, normalisht do t’i jepte jetë perspektivës për zgjedhje të parakohshme, por një fragment i opozitës mund të zëvendësojë boshllëkun e krijuar prej tyre. Kryetari i tyre, ish-kryeministri Tariçeanu deklaroi se PSD kishte patur një performancë të dobët në qeveri dhe kishte dështuar të merrte hapat e duhur për të reformuar kabinetin. Sidoqoftë, vendimi për t’u tërhequr nga koalicioni nuk ishte i lehtë – shtoi ai. Nga ana tjetër, kryeministrja në detyrë Dancila tha se PSD do të vazhdojë të qeverisë. “E rëndësishme është që ne të mos zhgënjejmë votuesit që na besuan në zgjedhjet kombëtare të vitit 2016”, tha ajo në profilin e saj në Facebook. Aleanca mes social-demokratëve dhe liberalëve ishte kritikuar ashpër nga BE dhe Shtetet e Bashkuara për shkak të rishikimit të statusit të gjyqësorit, që sipas tyre do të cënonte sundimin e rendit dhe ligjit në vend. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!