Rumani, dhjetëra mijëra njerëz në protestë kundër korrupsionit

schedule12:45 - 11 Gusht, 2019

schedule 12:45 - 11 Gusht, 2019

Dhjetëra mijëra njerëz, të nxitur nga diaspora, kanë protestuar në Bukuresht kundër nivelit të lartë të korrupsionit. Manifestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë social-demokrate, e cila sipas tyre po dobëson gjyqësorin për të mbuluar aferat e veta korruptive.

Disa dhjetëra mijëra protestues u grumbulluan në mënyrë paqësore në Bukuresht për të protestuar kundër qeverisë social-demokrate. Protesta u mbajt një vit pas manifestimeve te dhunshme, kur policia përdori forcë të shfrenuar.

Tubimi këtë herë ishte organizuar dhe promovuar nga shtetas rumunë që punojnë jashtë vendit, të irrituar nga korrupsioni i rrënjosur, administrata e dobët publike dhe përpjekjet e mazhorancës qeverisëse për të dobësuar gjyqësorin në një nga vendet më të korruptuara të BE-së.

Gjithashtu, vrasja e një vajze 15-vjeçare në jug të Rumanisë, kontribuoi në acarimin e mëtejshëm të manifestuesve ndaj autoriteteve për shkak të reagimit të vonuar. Mbi 20 mijë persona, si nga diaspora ashtu edhe nga brenda Rumanisë, u mblodhën jashtë selisë së qeverisë duke ngritur flamurin rumun dhe atë të Bashkimit Evropian dhe duke kërkuar dorëheqjen e ekzekutivit.

Protestat paqësore kanë qenë të shpeshta në vitet e fundit në Rumani, që kur social-demokratët erdhën në pushtet dhe ndërmorën një sërë nismash që shihen si kërcënime për pavarësinë e gjyqësorit. E vetmja protestë e dhunshme ndodhi më 10 gusht të 2018-s, kur policia qëlloi gaz lotsjellës ndaj turmës dhe përdori dhunë ndaj protestuesve paqësorë që po qëndronin me duart lartë. Asokohe, mbi 400 persona kërkuan asistencë mjekësore./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!