Rudina Hajdari mohon përpjekjet për krijimin e një partie të re

schedule12:31 - 22 Prill, 2019

schedule 12:31 - 22 Prill, 2019

Rudina Hajdari mohon përpjekjet për krijimin e një partie të re. Përmes një postimi në Facebook shprehet se vetë nuk ka bërë asnjë deklaratë e nuk ka marrë një iniciativë të tillë, pavarësisht se është në kontakt me demokratë në mbarë vendin.

“Krijimin e çdo forumi të ri politik, e shikoj si një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës dekadente që ka përfshirë vendin dhe gjithsecilit i uroj rrugëtim të mbarë dhe suksese në përpjekjet e tij.”

Deputetja shkruan se shqiptarët janë të lodhur e shqetësuar nga politika e dëmshme 28 vjeçare e për pasojë “krijimi i një alternative të re, të vërtetë dhe shpresëdhënëse që ka për qëllim interesin publik, përfaqësimin qytetar dhe një politik-bërje të re me standarde perëndimore do të ishte një iniciativë për t’u gëzuar.”

Hajdari risjell në vëmendje qëndrimin e shprehur pas krijimit të grupit parlamentar demokrat që kryeson dhe shprehet se “në rrugëtimin e nisur, prania e demokratëve të ndershëm dhe gjithë atyre që aspirojnë një demokraci të vërtetë, do të jenë mbështetja e jonë.”

Shqiptarëve u duhet “një elitë e re politike” shkruan Hajdari, duke përsëritur se synimi është nxjerrja jashtë  sistemit e të gjithë elementëve të korruptuar që vijnë nga bota e krimit, e që me drejtimin e mazhorancës qeverisëse, e kanë futur vendin në një drejtim pa shpresë dhe të ardhme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!