Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi Talat Xhaferi pas rizgjedhjes si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Ruçi në urimin e tij shkruan se rizgjedhja e homologut të tij në detyrë është tregues i lidershipit të tij ”vizionar, të matur dhe të balancuar, gjatë katër viteve të legjislaturës së kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”
Lexo edhe: Talat Xhaferi rizgjidhet kryetar i Kuvendit në Maqedoninë e Veriut
Sipas Ruçit, rizgjedhja e Xhaferit është gjithashtu “një tregues i pjekurisë dhe emancipimit të elitës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe i përgjegjësive të saj për konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e një shoqërie të drejtë, zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe përshpejtimin e proceseve integruese euro-atlantike të vendit.”
Reagimi i Ruçit:
“Me rastin e rizgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju dërgoj urimet më të mira të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personale.
Rizgjedhja Juaj në këtë detyrë të lartë është një tregues i lidershipit Tuaj të sprovuar, vizionar, të matur dhe të balancuar, gjatë katër viteve të legjislaturës së kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Rizgjedhja Juaj është gjithashtu një tregues i pjekurisë dhe emancipimit të elitës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe i përgjegjësive të saj për konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e një shoqërie të drejtë, zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe përshpejtimin e proceseve integruese euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
Shpreh bindjen se rritja dhe fuqizimi i përfaqësimit politik do t’í shërbejë përmirësimit të mirëqenies dhe nxitjes e zgjerimit të përfshirjes së shqiptarëve në të gjitha nivelet dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Jam gjithashtu i bindur se bashkëpunimi shumë i suksesshëm midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të rifillojë shumë shpejt dhe kam kënaqësinë t’ju ftoj për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje edhe me agjendën Tuaj.”
Talat Xhaferi është rizgjidhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut me 62 vota “pro” dhe 43 vota kundër.
Për zgjedhjen e Talat Xhaferit në krye të Kuvendit votuan 62 deputetët e Koalicionit qeverisës. Ata ishin 46 nga Koalicioni “Mundemi”, 15 nga BDI dhe Menduh Thaçi nga PDSH.
Kryetari i Kuvendit në ditët në vijim duhet të caktojë edhe mbledhje për zgjedhjen e qeverisë së re. Afati i propozimit për zgjedhjen e qeverisë së re është data 2 shtator. /abcnews.al/