Ruçi pret kryetaren e Bashkisë së Tetovës, diskutohet referendumi i 30 shtatorit

schedule13:17 - 20 Shtator, 2018

schedule 13:17 - 20 Shtator, 2018

Kryetari i Kuvendit  z. Gramoz Ruçi priti Kryetaren e  Bashkisë së Tetovës znj. Teuta Arifi, me të cilën bisedoi mbi zhvillimet më të fundit ne Maqedoni.  Gjatë takimit Kryetari i Kuvendit nënvizoi se pjesëmarrja e shqiptarëve dhe vota e tyre pro në referendumin e 30 shtatorit është shumë e rëndësishme. Shqiptarët duhet të bëhën masivisht pjesë e zgjidhjes, nënvizoi z. Ruçi.  Forcat politike dhe institucionet e qeverisjes qendrore e vendore të drejtuara prej shqiptarëve duhet të japin mesazhin e qartë në mbështetje të referendumit. Ne shqiptarët, jemi një faktor i rëndësishëm stabiliteti jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin.  Është pozitive që forcat politke shqiptare janë përgjithësisht pro referendumit dhe kjo duhet të pasohet edhe nga mbështetja e votuesve shqiptarë. Tetova duhet gjithashtu  të paraprijë në këtë proces. Roli i Komunës së Tetovës është vendimtar për sigurimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në referendum. Nuk duhet ta humbasin këtë shans historik.

Kryetarja  e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi,  falenderoi z. Gramoz Ruçi për mbështetjen që Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë u japin në këto çaste shqiptarëve në Maqedoni.  Ajo vlerësoi gjithashtu faktin që forcat politike dhe shqiptarët e Maqedonisë janë në mbështetje të referendumit dhe votës pro. Suksesi i referendumit të 30 shtatorit hap rrugën për ndryshime të tjera pozitive në Maqedoni, të cilat kanë dhe do të kenë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.  Faktori ndërkombëtar mbështet si rallëherë në këtë çështje të gjitha forcat progresiste të Maqedonisë, të cilat  përpiqen për zgjidhjen e problemeve, prosperitetin, paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi dhe Kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, shprehën bindjen se shqiptarët do të marrin pjesë masivisht në referendumin e 30 shtatorit dhe vota e tyre do të jetë pro. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!